“Balili”, Nishani i thotë ‘po’ Metës për mbledhjen e KSK

27.01.2017 11:53:04

Presidenti Bujar Nishani i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta për mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, lidhur me çështjen “Balili”.

Në një konferencë për shtyp, drejtori i kabinetit të Presidentit Ols Lafe tha se kërkesa është cilësuar serioze pasi vjen nga kreu i legjislativit.

“Presidenti i Republikës në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Sigurimit Kombëtar ka vendosur të thërrasë mbledhjen e Këshillit me qëllim dëgjimin e të gjitha argumenteve të parashtruara në kërkesë si dhe duke i analizuar dhe duke këshilluar me të gjithë anëtarët e Këshillit”, është shprehur z. Lafe.

Ai argumenton se Këshilli do të mblidhet për këto argumenta:
-Rrezikshmërinë e lartë shoqërore të shtetasit Klement Balili, përcjellë nga organet kompetente shqiptare apo ndërkombëtare.

– Shqetësimin e partnerëve tanë të SHBA dhe të tjerë ndërkombëtarë, të cilët paraqesin rezerva në drejtim të punës së organeve tona përgjegjëse për shkak të mosndalimit të tij në kohë dhe zbatimit të detyrimeve të përcaktuara në akte ndërkombëtare dhe legjislacioni vendas.

– Si dhe rrezikut që ekziston, tashmë, nga mosveprimi i agjencive ligjzbatuese të vendit tonë, në drejtim të goditjes ndaj krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme apo dhe bazave të tyre që mund të kontrollohen nga njerëz të politikës dhe shtetit. Ndërkaq, nuk është përcaktuar ende data dhe ora se kur do të zhvillohet mbledhja.