Balje: Nuk jam shumë e kënaqur për votën time pro demarkacionit

03.04.2018 21:53:24

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje, në një intervistë ekskluzive për gazetën lokale të Pejës “Zarfi Info”, ka thënë se nuk është shumë e kënaqur me votën e saj pro demarkacionit kufitar me Malin e Zi.

Ajo nuk e ndien veten të sigurtë nëse kishte të drejtë, apo jo, që, si deputete, ta bënte një gjë të tillë.

“Unë kam votuar pro demarkacionit kufitar me Malin e Zi, por nuk jam shumë e kënaqur me këtë, sepse më bren ndërgjegjia se a kam të drejtë unë si deputete ta jap tokën e Kosovës dikujt. Në anën tjetër, mendoj se e kam bërë një gjë të mirë, kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, sepse kemi shumë rini dhe qytetarë, të cilët, me punën dhe profesionin e tyre, mund të mbijetojnë më mirë, nëse u mundësohet liberalizimi i vizave. Por edhe nëse nuk mund të punojnë apo diçka të ngjashme, mendoj se mjafton të mos jenë të izoluar dhe të shkojnë kudo që ata dëshirojnë”, tha deputetja Balje, duke shtuar se deputetët tanimë e kanë plotësuar kushtin e kërkuar nga Bashkimi Evropian. Tani atyre u mbetet që ta bëjnë hapin për liberalizimin e vizave.

“Tani për tani jemi në pritje nga të huajt, se sa do ta mbajnë premtimin për liberalizim, sepse neve kushti që na u është dhënë e kemi përmbushur, tash mbetet që ata ta kryejnë punën e tyre, ashtu sikurse është më së miri. Besoj dhe shpresoj se në këtë drejtim nuk do të zhgënjehemi se, tani për tani, nuk kemi alternativë tjetër sa i përket liberalizimit”, tha deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, duke u rikujtuar qytetarëve të Kosovës, se për vendimin e saj pro demarkacionit është konsultuar dhe ka biseduar me një numër të madh qytetarësh, ku, sipas saj, përqindja më e madhe e qytetarëve ishin pro demarkacionit dhe si të tillë ajo e ka votuar.

“Duhet t’ju rikujtoj se asgjë nuk kam bërë pa u konsultuar dhe biseduar me qytetarët dhe bashkëvendësit e mi. Qysh në fillim, kur është dhënë kushti për liberalizim, menjëherë kam filluar bisedat dhe takimet me shumë qytetarë të Kosovës. Përqindja më e madhe e qytetarëve ishte pro demarkacionit dhe, si të tillë, e kam votuar, sepse unë jam deputete e dalë nga votat e qytetarëve dhe duhet të punoj ashtu sikurse ata kërkojnë, kuptohet, edhe në bazë të kompetencave të mia dhe ligjeve në fuqi”, u shpreh deputetja Balje, duke mbetur me shpresë se shumë shpejtë izolimi i qytetarëve të Kosovës do të marrë fund dhe, sepse, siç tha ajo, qytetarët e Kosovës e meritojnë të jenë të barabartë me ata të shteteve Evropiane.