Balla: Sulmi i Nokës ndaj Braçes është vepër penale

16.02.2017 14:57:59

Deputeti Taulant Balla e ka quajtur vepër të rëndë penale goditjen me letër që deputeti i PD-së Flamur Noka i bëri nënkryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe. Ai mohoi akuzat e opozitës se ishte Braçe që nxiti sherrin me fjalë fyese.

“Ka goditur nënkryetarin e grupit tonë parlamentar. Kjo nuk është vetëm thyerje e rregullores së kuvendit, por e quaj një vepër të rëndë penale, goditje për shkak të detyrës nga një deputet për një deputet tjetër. Nuk është e vërtetë ajo që thotë PD se reagimi i Nokës ka ardhur pas nxitjes nga Braçe.

Nuk kam parë ndonjë deputet që merr peng foltoren dhe pastaj thotë këtu do vijë të flasë vetëm Sali Berisha. Ikën deputeti dhe pastaj vjen Berisha. Kjo histori që këtu uzurpohet foltorja e kuvendit, që këtu goditen deputetët me grusht për shkak se është dhënë porosia nga Luli e Saliu që të mbarset klima politike për protestën e SHQUP-it kundër kësaj qeverie kjo është çështje e tyre, por këtu ta harrojnë që të shkelin rregulloren e kuvendit të Shqipërisë”, tha ai.

Lidhur me rinisjen e seancës, Balla tha se nuk mund të ketë vijim normal të punimeve pa dalë Noka nga seanca. Ai i bëri thirrje kreut të PD-së që të heqë dorë nga urdhrat që deputetët të mos kthehen në kamikazë.