Ballack: Götze duhet të luajë gjithmonë!

15.02.2017 14:38:36

Mario Götze është kampion bote, por aktualisht te Borussia Dortmund po ngroh stolin. Ai nuk u përfshi në 18-shin e skuadrës për ndeshjen kundër Benfica-s në Ligën e Kampionëve (probleme muskulare), teksa në Bundesligë në vitin 2017 ende nuk ka luajtur si titullar (gjithsej vetëm 24 minuta). Mesfushori është e qartë se nuk e ka mbështetjen e trajnerit Thomas Tuchel. Sidoqoftë, një nga mbështetësit e 24-vjeçarit është ish-kapiteni i Gjermanisë, Michael Ballack, i cili në një intervistë të fundit për revistën “Sport Bild” ka theksuar se “Mario duhet të luajë gjithmonë”.

“Kur shoh Marion, kuptoj se zhvillimi i tij nuk po shkon në drejtimin e duhur. Ai ka cilësi të jashtëzakonshme, por nuk e shfrytëzon potencialin e tij, për çfarëdolloj arsyeje, fatkeqësisht. Ai duhet të luajë gjithmonë”, – u shpreh legjenda e futbollit gjerman. Nga ana tjetër, ish-mesfushori i Bayer Leverkusen-it pranoi se Tuchel duhet të bindet. “Natyrisht, Götze duhet t’i tregojë trajnerit se sa vlen. Por mbase ai ndihet sikur nuk trajtohet drejt dhe kjo ka një ndikim negativ në performancën e tij. Karizma e Marios nuk është idealja dhe duket sikur ai nuk po lufton për të dalë nga kjo gjendje”, – shtoi Ballack.