Banorët e Hadjes i japin ultimatum KEK-ut

18.08.2017 16:09:53

Banorët e fshatit Hade kërkojnë që të ndalet puna e ekskavatorëve të KEK-ut. Madje ata kërcënojnë me protesta të dhunshme nëse KEK-u nuk merr vendim për ndërprerjen e mihjes në atë zonë. Kështu tha për Radio Kosovën njëri nga banorët e këtij fshati, Ujup Mirena. Ndërkaq, përfaqësues të KEK-ut arsyetojnë punimet në këtë zonë me atë se, shtëpitë e ndërtuara atje janë ilegale ndërkohë që punimet kryhen nën monitorim të ekspertëve.

Edhe pas shumë protestave dhe kundërshtimeve nga ana e banorëve të fshatit Hade, ekskavatorët e Korporatës Energjetike të Kosovës vazhdojnë mihjen në këtë zonë. Ujup Mirena, banor në këtë fshat, i ka thënë Radio Kosovës se përfaqësues të Minierave dhe Mineraleve u kanë dhënë leje ekskavatorëve të KEK-ut që të vazhdojnë mihjen edhe gjatë ditës së sotme, deri në një vendim tjetër. Mirena u shpreh se nëse nuk do të merret një vendim për ndaljen e mihjeve, atëherë banorët do të thërrasin protestë të dhunshme.

“Nëse nuk ndërmarrin masa të ndalin ekskavatorët dhe plotësimin e kushteve të banorëve të cilat i kanë kërkuar, ne prapë do të dalim në protesta. Më nuk do të jenë protesta paqësore, por protesta të dhunshme”, tha ai

Ndërkaq, zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Skender Bucolli, në një përgjigje elektronike dhënë Radio Kosovës ka arsyetuar punimet e ekskavatorëve të KEK-ut, duke potencuar se ndërtimet në fshatin Hade janë ilegale dhe në kundërshtim me interesin publik. Bucolli tha se KEK monitoron vazhdimisht gjendjen e sigurisë përmes ekspertëve dhe instituteve të pavarura.

“Për më tepër, KEK-u operon sipas licencës qe ka, standardeve dhe rregulloreve në fuqi dhe sigurojmë që punimet në asnjë moment nuk janë duke rrezikuar banorët dhe strukturat legjitime, tha Bucolli.

“Përndryshe, më lejoni të potencoj se në baza javore dërgojmë raporte dhe puna në mihje monitorohet në vazhdimësi nga organet kompetente të Republikës se Kosovës, siç është Komisioni Pavarur i Minierave dhe Mineraleve ( KPMM), të cilat kanë autorizim ekskluziv me ligj edhe për vlerësim të gjendjes së sigurisë”, thuhet në postën elektronike dërguar Radio Kosovës.

Kundërshtimin e tyre lidhur me mihjen nga ekskavatorët e KEK-ut, banorët e Shipitullës e shprehën edhe mbrëmë. Sipas tyre, gërmimi në këtë pjesë ka shkelur zonën e sigurisë dhe ka rrezikuar shembjen e shtëpive.

Radio Kosova ka bërë përpjekje për të marrë një prononcim lidhur me këtë çështje edhe nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, por kjo gjatë ditës së sotme ka qenë e pamundur.