Banorët në ‘Dardani’ rikthehen në banesa me frikë se do të largohen përsëri

20.09.2016 20:08:39

Dje gjatë ditës, Policia e Kosovës realizoi një aksion për të liruar 130 banesa që i takojnë Ndërmarrjes Publike Banesore në Prishtinë, por banorët rezistuan dhe si pasojë ka pasur edhe përleshje mes të dy palëve që kanë përfunduar edhe me të lënduar.

Në emisionin Info Magazine të Klan Kosovë në një lidhje direkte, njëra nga banueset e larguara, Elhame Alshiqi ka treguar për ngjarjen e largimit nga banesa e saj nga Policia e Kosovës.

“Na kanë larguar në ora 10:00, dhe na kanë qit, jam frikësuar edhe kanë ardhur e kanë thyer derën”.

“Ka ardhur një polic e më ka larguar jashtë. Nuk na kanë lënë me u fut në banesa deri në orën 12 të natës dhe pas orës 12, kemi hyrë brenda”.

Alshiqi ka treguar se ajo dhe familja e saj janë sistemuar në orët e vona të mbrëmjes në banesën e tyre, që tashmë është pa orendi pasi ato janë larguar.

“Policia i kanë marrë të gjitha orenditë, nuk e dimë ku i kanë dërguar. Policia i ka larguar të gjitha gjërat”.

Ajo ka shtuar se nëse largohen prapë nga banesa e tyre, nuk kanë ku të shkojnë.

“Ne nuk kemi ku të shkojmë, që 17 vjet kemi investuar këtu e sot as fëmijët nuk kam mundur t’i dërgoj në shkollë. Kemi frikë se po vijnë prapë të na largojnë nga banesa”.