Barça nis punën për rinovimin me Lionel Messin

18.11.2016 11:18:08

Nis misioni i Barcelonës për të rinovuar kontratën me Lionel Messin. Sinjalin e parë e dha presidenti Bartomeu pak ditë më parë, ndërsa nëse i referohemi asaj që shkruan gazeta katalanase Sport, rinovimi i yllit argjentinas me skuadrën blaugrana është rrugës dhe do të vijë shumë shpejt. Frika e një largimi të mundshëm të 5-herë fituesit të Topit të Artë, i cili pëlqehet shumë nga Pep Guardiola që e dëshiron te Manchester City, ka detyruar drejtuesit e Barcelonës të përshpejtojnë afatet dhe t’i futen fuqishëm punës për të bindur 29-vjecarin të firmosë marrëveshjen e re me Barcelonën. Kontrata aktuale e Messit skadon në verën e vitit 2018 dhe nga marrëveshja që nënshkruar disa vite më parë me Barcën, ylli argjentinas përfiton rreth 21 milionë Euro në sezon.

Por nga kontrata e re e cila mund të jetë e fundit me Barcelonën, Lionel Messi kërkon të përfitojë shumë më tepër para. Sipas asaj që raporton gazeta Sport edhe pse dicka e tillë nuk gjetur ende konfirmim, 29-vjecari synon të përfitojë shifrën e cmendur të 50 milionë Eurove në sezon për të firmosur një marrëveshje të re me Barcën. Një vlerë e padëgjuar më parë në futboll kjo dhe që as një klub si Barcelona nuk e ka mundësinë ta paguajë, edhe pse Bartomeu po mendohet pasi duke patur parasysh edhe 55 milionë Eurot që klubi do të arkëtojë në një vit nga marrëveshja me sponsorin e ri Rakuten, Barca mund t’ia lejojë vetes të bëjë një cmenduri për të mbajtur në ekip Messin. Por ky është vetëm fillimi i një misioni të gjatë dhe të vështirë për Barcën ndërkohë që nga Anglia Pep Gurdiola shikon me interes, se cfarë do të ndodhë në bisedimet mes palëve.