Barcelona, 3 gola Athletic Bilbaos

04.02.2017 21:42:31

Javë fatsjellëse për Barcelonën, që pasi fitoi në Kupën e Mbretit me Atleticon e Madridit, gjen sërish suksesin në kampionat kundër Athletic Bilbaos, që u mposht 3-0. Në “Camp Nou”, ekuilibrat i prishi Paco Alcacer që pas asistit të Neymar nga qendra e zonës coi në avantazh blaugranat pas 18 minutash lojë.

Nuk mund të mungonte vula e Messit dhe dyfishimi në fakt erdhi nga një gol spektakolar i argjentinasit që direkt nga goditja e dënimit mposhti Iraizoz. Gjithcka e thjeshtë për Barcelonën që mbylli llogaritë në pjesën e dytë me Aleix Vidal. Vazhdon të ngjisë shkallët në klasifikim Barcelona që ngushton në 1 pikë diferencën me kryesuesit e Realit të Madridit, që gjithsesi duhet kujtuar se kanë luajtur dy ndeshje më pak.