Barcelona fiton pas 10 viteve në Sociedad

19.01.2017 23:48:49

Barcelona ka bërë një hap të madh drejt gjysmëfinales së Kupës së Mbretit, pasi fitoi 1-0 në “Anoeta” ndaj Sociedad, një stadium ku kishte triumfuar për herë të fundit para 10 vitesh. Të besuarit e Luis Enrique janë të favorizua nga fakti që ndeshjen e kthimit do ta luajnë në “Camp Nou”. Sulmuesi brazilian Neymar ishte ai që bëri diferencën duke fituar dhe kthyer në gol një penallti, në minutën e 20-të.

Gjyqtari ndëshkoi faullin e shkaktuar nga Elustondo, ndërsa sulmuesi Neymar mposhti portierin Geronimo Rulli. Ky episod vulosi fatet e ndeshjes ndërsa vlen për të përmendur edhe një gol që iu anulua Sociedad për pozicion jashtë loje, pavarësisht se Elustondo u nis të paktën pesë metra në pozicion të rregullt.

Në ndeshjen tjetër të luajtur në Kupën e Mbretit një tjetër “gjigant” i futbollit spanjoll, Atletico Madrid, mund të konsiderohet me një këmbë në raundin tjetër, pasi mposhti 3-0 Eibar. Sulmuesit Antoine Griezmann, Angel Correa dhe Kevin Gameiro shënuan për ekipin e Diego Simeone në ndeshjen e luajtur në “Calderon”.