Barcelona, gati të hapë shampanjën e titullit kampion

27.04.2019 21:12:07

Kur kanë mbetur edhe 4 javë nga fundi i kampionatit, Barcelona ka përgatitur festën e titullit të dytë kampion radhazi në Spanjë, teksa mbrëmjen e sotme në orën 20:45 do të presë Levanten në “Camp Nou”.

Katalanët janë vetëm 3 pikë larg titullit dhe nëse do të marrin fitoren ndaj skuadrës valenciane, atëherë do të mund të nisin festën menjëherë pas përfundimit të takimit, pavarësisht rezultateve të kundërshtarëve.

Megjithatë festa për katalanët mund të nisë edhe më herët, nëse Atletico Madrid nuk bën detyrën përballë Valladolidit, në sfidën që do të luajnë në “Wanda metropolitana”, në orën 16:15.

Një humbje e mundshme e “Los Colchoneros”, do të shpallte matematikisht kampione Barcelonën, pa nisur ende sfida e mbrëmjes ndaj Levantes, ndonëse ky opsion duket pak i mundshëm.

Trajneri katalan, Valverde ka në dispozicion thuajse të gjithë futbollistët, por pritet që të lërë në stol një pjesë të mirë të tyre, për t’i pasur në formë sa më të mirë për sfidën e mesjavës së ardhshme në Champions, ku do të përballen me Liverpoolin.

Megjithatë, kushdo që të luajë, duket e pamundur që festa për titull e Barcelonës, të shtyhet përtej kësaj jave, pasi në vijim katalanët pritet të angazhohen maksimalisht në Champions, ku janë në gjysmëfinale përballë Liverpoolit.