Barcelona zyrtarizon Kevin-Prince Boateng

22.01.2019 12:57:14

Barcelona ka zyrtarizuar afrimin Kevin-Prince Boateng, 31 vjeç, nga Sassuolo, për të mbushur vendin e lënë bosh nga Munir El Haddadi. Sulmuesi me përvojë vjen në huazim nga klubi italian, ku ka luajtur 13 ndeshje këtë sezon dhe ka shënuar katër gola.

Në deklaratën e Barcelonës shpjegohet se ekziston një opsion blerjeje për 8 milionë eurosh (2 milionë për huazimin). Në karrierën e Boatengut përfshihen tre sezonet te Milani (2010-13) dhe 35 ndeshje të luajtura në Ligën e Kampionëve. Boateng nuk do të marrë një numër dosido por pikërisht atë që ka mbajtur dikur Lionel Mesi, numrin 19.

“Kjo është një ëndërr, po pres me padurim të luaj për Barcelonën dhe të bëj maksimumin që të ndihmoj këtë skuadër. Për shumë lojtarë është ëndërr të luash në këtë klub, por ky është edhe vërtetimi se po punove mirë, ëndrrat mund të bëhen realitet”, – deklaroi Boateng pas prezantimit si futbollist i katalanëve.

Boateng do të kalojë sot testet mjekësore dhe do të paraqitet më vonë në “Camp Nou”.

Futbollisti ganez mund të përfshihet në listën e të grumbulluarve për ndeshjen e Kupës së Mbretit kundër Sevillas, këtë të mërkurë.