Basha: Kjo qeverisje meriton notën 4!

07.03.2017 20:32:21

Lulzim Basha, në një bashkëbisedim me protestuesit në çadrën e protestës së opozitës, deklaroi se “mësuesit në Shqipëri nuk kanë mbështetje shtetërore” dhe se “buxheti i kësaj qeverie për arsimin është regresiv”.

“Arsimi po vuan nga profaniteti dhe korrupsioni qeveritar. Kjo qeveri nuk ka rritur asnjë qindarkë rrogën në raport me inflacionin”, tha Basha, përpara se të shpaloste dy shtyllat kryesore të programit të demokratëve për arsimin.

“Shtylla e parë: kthimi i orareve arsimore në parametra europianë. Do të krijohen kushte që pas mbarimit të orëve të mësimit, fëmijët të hanë drekën në shkollë dhe të merren me aktivitete të ndryshme. Për këtë duhen bërë investime në shkolla dhe ne do i nisim investimet që muajin e parë të qeverisjes.

Shtylla e dytë: në fund të mandatit të parë, rrogat e mësuesve do të dyfishohen përsëri”, tha Basha.

Kreu i Partisë Demokratike shtoi: “Standardin europian nuk do e arrijmë dot brenda një viti, por, po të jemi të vendosur, do e bëjmë realitet këtë standard në vendin tonë, për fëmijët tanë. Që të ndodhë kjo, duhet të fitojmë betejën me republikën e vjetër të krimit, drogës e korrupsionit”.