Basha në Kukës: Nuk do lejojmë taksë për Rrugën e Kombit

03.12.2016 16:14:28

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në vijim të turnit të nisur disa muaj më parë, ishte sot në qytetin e Kukësit.

Gjatë takimit me kuksianët, Basha thotë se ju ka premtuar atyre se PD-ja nuk do të pranojë që qytetarët të paguajnë taksën për Rrugën e Kombit.

Kreu i Opozitës është shprehur se Kukësi është në varfëri të plotë, duke shtuar se rreth 6 mijë banorë  jetojnë me ndihmë sociale.

“Kukësi është në varfëri të plotë. Papunësia ka prekur çdo familje dhe rreth 6 mijë prej tyre jetojnë me ndihmë sociale.

Pagesa që qeveria vendosi për Rrugën e Kombit do të dyfishojë çmimin e biletës të udhëtimit, do të rrisë koston e lëvizjes së mallrave, dhe do t’i izolojë kuksianët nga pjesa tjetër e vendit.

Ju premtova kuksianëve se unë dhe Partia Demokratike nuk do të pranojmë që ata të paguajnë për Rrugën e Kombit. Rruga e Kombit duhet të jetë e lirë, duhet të jetë rruga që na bashkon dhe jo rruga që na izolon”, -tha Basha.