Basha: Rama s’ndahet nga krimi, Rroshi në krye të PS në Kavajë

04.02.2017 19:37:17

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përmes një statusi të publikuar në faqen e vet zyrtare në Facebook akuzon kryeministrin Edi Rama se po shkel ligjin e dekriminalizimit, duke mbajtur pranë një person si Elvis Roshi, të dënuar për prostitucion e të hequr nga bashkia e Kavajës përmes ligjit të dekriminalizimit.

Sipas Bashës, Rama nuk ndahet dot nga krimi pasi synon ta përdorë atë për të vjedhur zgjedhjet e radhës. Basha ka bërë sërish thirrje që më 18 shkurt sa më shumë njerëz t’i bashkohen PD në protestë kundër qeverisë.

“Elvis Roshi i dënuar në Itali dhe Zvicër për përdhunim dhe trafik droge, me mandat të hequr si pasojë e ligjit të dekriminalizimit, mbetet i plotfuqishmi i Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste të Kavajës dhe de fakto në krye të bashkisë së qytetit.

Dalja e tij krah për krah me Arben Ahmetajn si drejtues i fushatës zgjedhore në Kavajë është skandal politik dhe shkatërrim i procesit të dekriminalizmit. Me veprimin e tij, Edi Rama e ka bërë zero përpjekjen e mundimshme të opozitës e partnerëve ndërkombëtarë dhe vullnetin e popullit për hartimin dhe zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.

Kjo është një tjetër dëshmi se Edi Rama nuk ndahet dot nga krimi. Nuk ndahet dot nga trafikantët dhe droga. Prandaj nuk e e do votimin dhe numërimin elektronik. Sepse kështu nuk e ndihmon dot as ai krimin, as krimi atë. Zgjedhjet e lira janë fundi i krimit në politikë. Më #18Shkurt #NgrihemiBashkë për t’i prerë rrugën krimit në politikë”, shkruan Basha.