Basha: Rinia të ngrihet për të mposhtur frikën si 26 vite më parë

08.12.2016 15:25:34

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka kujtuar sot Ditën e Rinisë në qytetin “Studenti”, ku mes qindra të rinjve ka theksuar se 8 Dhjetori duhet të shërbejë si të gjithë si një dëshmi e gjallë e kujtdo për të vrarë frikën, ashtu siç ndodhi 26 vjet më parë.

Basha kujtoi se çerek shekulli më parë, të rinjtë u përballëm m diktaturën më të egër, duke vrarë frikën dhe terrorin me kurajë dhe “jo me armë”.

Duke iu referuar gjendjes aktuale në vend, ai tha se edhe sot, të rinjtë mund të marrin në duar fatin e Shqipërisë.

“Sot, pas 26 vitesh, liria dhe demokracia mbeten aspirata të paplotësuara. Pse nuk jemi zotë të fateve tona siç kanë bërë vendet e tjera evropiane. Sot, ne nuk kemi demokraci, por kemi autokraci, kemi sundimin e pushtetarit, një pushtet të pakufizuar në duar të kryeministrit dhe një grupi njerëzisht që ka zëvendësuar demokracinë me autokracinë, – u shpreh kryedemokrati. – Rama e ka kthyer shoqërinë e pavarur civile në shoqëri të kapur dhe të joshur, median e pavarur në një ushtri të kapur, me pseudoanalistë që përfaqësojnë interesat e pushtetit”.

Sipas Bashës, “kemi një Shqipëri që pasuritë e saj nuk janë për gjithë shqiptarët, por pë një grup pushtetarësh. Këtu ecën para ai që përcakton kryeministri, i plotfuqishmi, i cili përcakton nga zyra e tij se cili biznes do të ecë dhe kush do të ngecë. Kemi një politikë të kapur peng nga pushtetarët që mendojnë vetëm për pasurinë e tyre. Ne refuzojmë të jemi skllevër të një autokracie të veshur si demokraci, të një vendi ku frikën nga terrori i diktaturës, e ka zëvendësuar frika nga taksidari që të mbyll biznesin. Frika e terrori sundojnë ekonominë dhe vendin”.

Mes të tjerash, Basha bëri thirrje që “rinia demokrate dhe shqiptare kanë vendosur të ngrihen për të mposhtur frikën dhe të rifitojnë të drejtën për të jetuar në liri dhe demokraci”.