Basha: Shteti ka rënë, protesta në të gjithë Shqipërinë

21.02.2017 15:28:51

Në ditën e katërt të protestës së opozitës, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka kërkuar largimin kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie teknike, që sipas tij do t’i hapte rrugën zgjedhjeve të lira e të ndershme.

“Jemi shumë çdo ditë dhe do vazhdojmë të shtohemi gjithnjë e më shumë deri në realizimin e plotë dhe jo të pjesshëm të kushteve tona deri në largimin e këtij kryeministri të papërgjegjshëm për shqiptarët dhe krijimin e  një qeverie teknike, – tha Basha në çadrën e ngritur nga protestuesit. – Disa prej pakicës absolute, që po dridhen nga përballja e shumicës absolute thonë pse të ikë qeveria?

Por, kur çdo institucion ka rënë për shkak të qeverisë, kur Parlamenti ka rënë për shkak të kryeministrit që e ka mbushur me kriminelë, kur bashkitë kanë rënë se e ka mbushur me banditë, kur drejtësia ka rënë se po liron me urdhër të Ramës mafiozët dhe kriminelët e vendit, kur ekonomia ka rënë,  pasi një grup pushtetarësh të korruptuar po vjedhin asetet e vendit, kur media ka rënë, kur dihet se kryeministri njihet në gjithë Ballkanin si modeli i korruptimit, a nuk është koha që ta rrëzojmë këtë qeveri? – u shpreh Basha. – Dy rrugë ka: ose do të pranojmë të rrëzohet dhe institucioni i zgjedhjeve të lira e të ndershme ose do të vazhdojmë të qëndrojmë këtu për kauzën tonë”.

Basha shtoi se së shpejti protesta e opozitës do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë: “Ky është vetëm fillimi, kjo protestë do të shtrihet anembanë vendit, deri sa zëri i shqiptarëve për zgjedhje të lira e të ndershme të dëgjohet dhe vullneti i tyre të respektohet”.