Basha takon banorët e përmbytur në Fushë-Krujë: Qytetarët në mëshirë të fatit, qeveria i ka braktisur

12.11.2016 18:35:42

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vizitoi sot zonën e përmbytur në Fushë- Krujë. Banorët thanë se askush nuk u ka ardhur në ndihmë, ndërkohë që çarja e argjinaturës së Lumit Zezë rrezikon jetën e mijëra banorëve.

Banor: Është ça argjinatura komplet. Ka katër ditë sot, po të kishte ra shi mbrëmë sot do të ishim përmbytur prapë. Ishalla nesër e ka dhënë kohë e mirë e shpëtojmë ne si popull.  Basha: A ka ardh njeri me e pa.
Banore: Askush fare, fare.
Basha: As bashki, as qeveri?
Banor: Fare, fare asnjë.
Basha: As kryetari i bashkisë, as kryeministri?
Banor: Jo, jo, fare asnjë.

Uji i rrëmbyeshëm që vërshoi gjatë të martës ka rrezikuar dhe jetën e banorëve, thonë ata ndërsa tregojnë dëmet e shkaktuara në shpi dhe orendi shtëpiake.

Basha: Sa fëmijë ke?
Banore: Unë kam tre fëmijë, burrin s’e kam.
Banore: S’ka as krevate, as dyshekë, asgjë.  Po të hysh brenda asi gjë.
Basha: Deri në çfarë niveli shkon uji?
Banore: Ja ku i ke vizat, duket është mbi një metër. Iu shemb rafti i rrobave, kundra bufeja, ranë komplet, porta e shpisë.
Banore: Mbrëmë të gjithë kena dalë, kam hy këtej, kam dalë andej. Kena shku në atë gjendje ku s’ka ku shko më. Tmerr, kalamanjtë një herë.
Banore: Kjo bërtiste hajde më shpëtoni fëmijët.

Basha: Bëhet fjalë për qindra familje nga këtu e deri në Fushë-Krujë, ndërkohë që jemi këtu bashkë me banorët për të parë situatën nga afër. Sigurisht për tu bërë thirrje të mbrojnë jetët e tyre në radhë të parë dhe për të parë sesi mund t’i ndihmojmë. Asnjë nga bashkia dhe qeveria nuk është i pranishëm. Sigurisht Tur Bushi ka hallin e hashashit, Ed Rama ka hallin e pikturave. Hallin e njerëzve këtu nuk e qan askush. Megjithatë ne jemi këtu bashkë me deputetin për të parë gjendjen nga afër, për të parë se çfarë mund të bëjmë me mundësitë tona të kufizuara dhe për t’i bërë thirrje autoriteteve të lënë propagandën, të vijnë këtu, të ndihmojnë njerëzit, t’u vijnë në ndihmë sepse nuk kanë ku të fusin kokën.
Kreu i opozitës vizitoi dhe disa biznese në këtë zonë ku përmbytjet u kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme.