Basha “tërhiq e mos e këput”: Jam gati të ulem në bisedime, pa Ramën – me aleatët!

14.05.2019 18:32:29

Edi Rama e ftoi sërish sot për t’u ulur në bisedime duke thënë se do t’i japë ëmbëlsira, nëse ai s’vendos kushte dhe theksoi se nuk ka nevojë për ndërkombëtarët që ta zgjidhë krizën, dhe Lulzim Basha deri diku nuk është kundër.

Edhe pse zyrtarisht PD mohoi ditën e djeshme ekzistencën e një draft-marrëveshje që i kthen ata në Parlament dhe zgjidh krizën, e cila u botua nga Gazeta Shqip, Basha pak minuta më parë nuk e mohoi se është gati të ulet në tryezë për bisedime.

“Gjatë 24 orëve të fundit jam njohur me mesazhet e aleatëve tanë për të ndihmuar Shqipërinë që të dalë nga kjo krizë e thellë politike që ka destabilizuar vendin dhe ka shkaktar Edi Ramën që tenton ta shtrijë krizën në rajon. E mirëpres angazhimin e tyre për zgjidhjen e krizës politike në vend”, tha Basha duke treguar se ka reflektuar pas thirrjeve nga Berlini dhe Vjena pasditen e djeshme.

Por, kreu i PD i ka qëndruar stoik kushtit të tij primar, pasi tha në deklaratën për media se nuk e diskutojnë zgjidhjen e krizës me Edi Ramën, sepse kryeministri do të largohet.

“PD dhe opozita janë gati të përfshihen në një proces të vërtetë politik, me ndihëm e partnerëve tanë ndërkombëtarë për të zgjidhur krizën dhe për ti kthyer shqiptarëve demokracinë dhe institucionet e marra peng. Largimi i Edi Ramës është çelsi që i hap rrugën zgjidhjes së krizës. Një qeveri tranzitore, jam i gatshëm të diskutoj edhe për reformat e thella ekonomike dhe politike që të bëjmë që asnjë forcë politike kurrë më të mos marrë më peng vendin me një pakicë absolute që sundon Shqipërinë”, deklaroi ai.