Basha u “qan” hallin banorëve në Vlorë: Fukarallëk, tre veta me një birrë

10.02.2019 15:36:48

Kryedemokrati Lulzim Basha ishte sot në qytetin e Vlorës, ku zhvilloi takime të shumta me qytetarët.

I shoqëruar nga deputeti Agron Shehaj, Basha i ka ftuar qytetarët në protestë më 16 shkurt, ndërsa ka deklaruar se PD do të ulë taksat, do të heqë taksën e qarkullimit tek çmimi i naftës etj. Ai tha se propozimi i opozitës është që ekonomia t’u kthehet qytetarëve.

Teksa takonte qytetarët në rrugët e Vlorës ai është ndalur në një lokal, ky burrat e ulur aty i kanë dhënë faktin më “elementar” të fukarallëkut, të papunësisë:

“Shikojeni vetë, z. Basha, tërë ditën me një kafe. Shihni këtu: tre veta me një birrë! …Ja ç’ka bërë Rama: vjet e bëri atë lulishten atje, e bëri prapë me paratë tona”, thanë ata.

Basha ka reaguar: “Kjo është një metaforë. Tre veta me një birrë!”

Gjithashtu ai theksoi se në Evropë nuk shkohet me gënjeshtra, por me punë. Basha u bëri thirrje që ta rrëzojnë qeverinë.

“Ndaj, nuk ka rrugë tjetër, vetëm në protestë. As ajri nuk është falas këtu, se është i ndotur dhe duhen ilaçe. Por të jeni të vetëdijshëm, se me këtë sistem dera e mirëqenies, dera e Europës do të mbetet mbyllur, për sa të jetë ky kryeministër. Akti i parë është ta shembim atë derë!” deklaroi Basha.