“Bashkëpunimi shëndetësor Turqi-Kosovë, vëllazëror dhe miqësor”

13.12.2016 23:09:47

Ministri turk i Shëndetësisë, Recep Akdag, ka deklaruar se bashkëpunimi mes Turqisë dhe Kosovës në fushën e shëndetësisë do të vazhdojë të rritet, raporton AA.

 

Akdag është takuar sot homologun e tij kosovar, Imet Rrahmani, në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë në Ankara. Dy ministrat, pas takimit organizuan një konferencë të përbashkët për mediat.

Pasi shprehu kënaqësinë për takimin me Rrahmanin dhe delegacionin që e shoqërojnë atë, Akdag ka vënë theksin tek lidhja shumë e fortë që ekziston mes dy vendeve, duke shtuar se nuk është thjeshtë një bashkëpunim, por një solidaritet vëllazëror dhe miqësor. Ai ka vënë në dukje se Turqia ka njohur Kosovën vetëm një ditë pasi shpalli pavarësinë.

Akdag veçoi se marrëveshja e parë mes Turqisë dhe Kosovës është firmosur nga vetë ai dhe se Turqia i jep shumë rëndësi unitetit dhe tërësisë territoriale të Kosovës.

Ndërsa, Rrahmani është shprehur se gjatë vizitës kanë pasur mundësi të vizitojnë disa institucione shëndetësore në Turqi.

“E shikojmë si shumë të suksesshëm sistemin shëndetësor në Turqi dhe ne duam që këtë sukses ta transferojmë në Kosovë”, tha Rrahmani dhe më pas shtoi se kjo vizitë për fat të keq erdhi në një kohë të vështirë për Turqinë.

Rrahmani ngushëlloi familjarët e viktimave në sulmin terrorist në Stamboll dhe theksoi se Turqia do të kalojë me sukses të gjitha këto ditë të vështira.