Bashkia e Tiranës: Shmangni qarkullimin nesër, pritet mot i keq

05.09.2016 19:32:54

Bashkia e Tiranës ka paralajmëruar qytetarët e kryeqytetit që gjatë natës së sotme e ditës së nesërme të shmangin qarkullimin për shkak se pritet një mot i keq me sasi të mëdha dhe rreshje të dendura shiu.

Për këtë arsye, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka thirrur sot shtabin e emergjencave për të ndarë detyrat për 24 administratorët dhe për të gjitha ekipet lokale të ndihmës, si dhe marrjen e të gjitha masave për përballimin e problematikave që mund të shfaqen gjatë mbrëmjes së sotme dhe ditës së nesërme.

Në lidhje me rrugët më problematike, bashkia ka vënë në dispozicion gjatë gjithë natës së sotme, 1200 punonjës dhe mbi 60 mjete, në ndihmë të qytetarëve në rast nevoje.

“Bashkia e Tiranës ka angazhuar të gjitha ndërmarrjet e saj për të ndërhyrë e ardhur në ndihmë të qytetarëve për çdo situatë emergjente që mund të krijohet. Ndërmarrjet e rrugëve, pastrimit, kanalizimeve, ndriçimit, Policia Bashkiake, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Zjarrfikëset, kanë ngritur grupe të posaçme pune dhe do të jenë në terren, në shërbim të qytetarëve nga mbrëmja e sotme, së bashku me administratorët e 24 njësive administrative”, nënvizon bashkia e Tiranës.