Bashkim Shehu: Shkruaj përmes pasigurisë që lind nga vetmia

15.12.2016 11:38:14

 Dje, në Ministrinë e Kulturës janë shpallur çmimet kombëtare të letërsisë për veprën shqipe më të mirë të vitit, si dhe përkthimin, ku juria ka nxjerrë fitues veprën e Bashkim Shehut “Fjalori udhëzues për misterin e dosjeve” dhe përkthimin nga gjuha frënge të Edit Dibrës, “Robinja” e Marcel Proustit

“Për gjetjen e veçantë artistike që përthyen labirintet e errëta historike në një labirint romanor me një dimension mitik e universal”. Ky ishte motivacioni i jurisë për veprën më të mirë të vitit, që iu dha romanit “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve” e shkrimtarit Bashkim Shehu.

Emri fitues i Shehut u zbulua pasi ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, në ceremoninë e ndarjes së Çmimeve Kombëtare të Letërsisë, lexoi letrën që shkrimtari kishte dërguar në mungesë të tij për të marrë çmimin.

Fituesi i çmimit me këtë letër për së largu, nga Barcelona ndër të tjera shkruan: “…dhe mendoj se janë të rëndësishme këto nisma ngaqë kam parasysh natyrën e punës së shkrimtarit dhe të përkthyesit, vetminë e gjatë që kërkon kjo lloj pune dhe pasiguritë që lindin nga ajo vetmi, nga ato dridhje të pashmangshme dore të krijuesit për të cilat bën fjalë Dante. Në rastin tim, është e rëndësishme edhe ngaqë vetminë kreative e ndiej dyfish, për shkak të largësisë gjeografike prej lexuesve shqiptarë, prej lexuesve të gjuhës në të cilën shkruaj…”.

Romani i Shehut u cilësua si një pikë kulmore në krijimtarinë e tij, në një rrëfim për labirintet historike e metafizike. Një gjetje e veçantë dhe origjinale me dosje e antidosje, në një labirint të pafund ku dhe lexuesi humbet. Një roman që të kujton ndërtimin kafkian te “Procesi”. Në mungesë të tij, çmimin e tërhoqi botuesja e “Toenës”, Irena Toçi, e cila tha: “Mendoj që ai do të mund ta meritonte këtë çmim edhe shumë më parë me libra të tjerë të rëndësishëm, siç janë “Mozart me vonesë” apo “Loja, shembja e Qiellit”. Por qëlloi që e mori me “Misterin e dosjeve”. Ju falënderoj! Është një nga kulminacionet e punës së tij dhe mendoj që edhe konkurrentët e tij, këtë herë do të zgjidhnin që çmimin t’ia jepnin Bashkimit”.

Ndërsa çmimin “Vepra më e mirë e vitit e përkthyer” e mori përkthyesja Edit Dibra për përkthimin nga frëngjishtja të romanit “Robinja” të shkrimtarit Marcel Proust me motivacionin “Për mjeshtëri në përkthim, duke ruajtur autenticitetin e frazës prustiane me sintaksën e ndërlikuar, prozodinë e saj dhe larminë e regjistrave të gjuhës”. “E pranoj që e kam ëndërruar këtë çmim qëkur vendosa të përkthej Marcel Prustin. Në atë kohë kisha shumë frikë nëse do të mund të isha në lartësinë e duhur për të përkthyer këtë autor. Ky çmim sot më konfirmoi që përkthimi ishte në lartësinë e duhur”, tha në dorëzimin e çmimit, përkthyesja Edit Dibra.

Në përbërjen e jurisë për herë të parë përfshihet një studiuese, siç ishte Laura Smaqi, shefe e departamentit të letërsisë në Qendrën e Studimeve Albanologjike; e pasuar nga shkrimtari Virion Graçi; gazetarja Beti Njuma; Vjollca Osja; me kryetare përkthyesen e njohur Saverina Pasha, të cilët, secili më vete në prezantimin e kandidatëve, kanë vënë theksin në një prurje të madhe të letërsisë sidomos autorëve shqiptarë, krahasuar me letërsinë e huaj.

Në këtë ceremoni, Drejtoria e Krijimtarisë së Fjalës dhe Përkthimit vlerësoi me certifikata mirënjohjeje shoqatat që mbështetën krijimin e minibibliotekave kreative gjatë fushatës së leximit.

Me këtë certifikatë u vlerësua: Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane, Nisma Vullnetare Studentore Shkodër, Qendra Rinore ATA, Kamëz.

Gjithashtu certifikatë mirënjohjeje pati edhe për fushatën #AlbFotoBook në rrjetet sociale me librin në fokus si objekt, për të cilin u vlerësuan Elinda Gjonomadhi, Gerta Kadillari dhe më e vogla e apasionuar pas librave, Irel Çupi.

“Vepra e më e mirë e vitit” u përzgjodh nga juria në mes pesë veprave të tjera letrare kandidate për çmimin ‘Vepra më e mirë e vitit’, si romani “Gurit të varrit ia rrëfej” e shkrimtarit Agron Tufa, vëllimit poetik “Largësi ideale” e poetit Parid Teferiçi, romanit “Të gjithë premtojnë Parisin” e Nasi Lerës dhe përmbledhjes me tregime dhe novela “Tuneli i dhëndurëve” e Shkëlqim Çelës. Ndërsa përkthimi i Edit Dibrës u përzgjodh si përkthimi më i mirë mes veprave “Bukë me sallam” sjellë në shqip nga përkthyesja Iris Sojli, “Fëmijët e mesnatës” përkthyer nga Ilir Baçi, “Rrëfenja e shërbëtores” përkthyer nga Engjëllushe Shqarri dhe “Të parët tanë: Viskonti i përgjysmuar, Baroni rebel, Kalorësi i paqenë”, përkthyer nga Adrian Beshaj.