Bashkitë kryesore shqiptare në rajon me platformë të përbashkët

13.09.2016 18:01:59

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj, janë pajtuar që të konkretizojnë një aleancë të bashkive kryesore shqiptare në rajon, në mënyrë që të kenë një qasje konkrete se si shqiptarët mund të jetojnë më mirë.

Kështu u bë e ditur gjatë takimit në mes Shpend Ahmetit dhe Erjon Veliut në Prishtinë, ku u theksuar se kjo platformë është e një bashkimi praktik, emocional dhe retorik.Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se gjatë këtyre dy ditëve do t’i konkretizojnë planet për të ardhmen e shqiptarëve.Kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj, tha se interesi i këtyre takimeve është mirëqenia e qytetarëve shqiptar. Ai paralajmëroi se disa ditë para pavarësisë së Shqipërisë, do të mbahen takime me kryetarët e trevave shqiptare me qëllim që t’i shkëmbejnë përvojat dhe t’i konkretizojnë planet për një të ardhme më të mirë për shqiptarët.

“E vlerësojë shumë mikpritjen edhe interesin, është gjithmonë kënaqësi të takojë shokun tim të vjetër Shpendin, edhe është kënaqësi e jashtëzakonshme të kthehem gjithmonë në Prishtinë… besoj që ne gjithmonë flasim për diplomaci të atyre që flasin për diplomaci, diplomaci të jashtme ekonomike flasim për diplomaci kulturore, janë të gjitha të rëndësishme, por unë jam subjektiv bashkë me Shpendin, njëherë mendoj që diplomacia e qyteteve është ajo që realisht bën diferencën, njerëzit jetojnë gjithmonë e më shumë në qytete…Kemi marrë një vendim bashkë me Shpendin, që të konkretizojmë atë aleancë, atë unionin të bashkive kryesore shqiptare në rajon, kështu që fundjavën përpara ditës së pavarësisë, më datën 26, 27 do të mblidhemi në Tiranë, bashkë me kryetarin e komunës së Tetovës, Preshevës, Ulqinit dhe ne dy sigurisht, do të jetë një privilegj t’i presim në Tiranë, të mësojmë nga njëri-tjetri. Për ditë të pavarësisë nuk na duhet ose nuk na lipset shumë turbofolku i nacionalizimit sesa që na duhet qasje konkrete se si shqiptarët mund të jetojnë më mirë, si mund të shkojnë në shkolla më të mira, si mund të shkojnë në çerdhe në kopsht, si mund ta kenë infrastrukturën më të mirë, si të kenë transport publik më të mirë, qytete më të pastra edhe besoj që kjo platformë është e një bashkimi praktik edhe një bashkimi emocional dhe retorik”, tha Veliaj.

 

 

Kryetari Shpend Ahmeti dhe kryebashkiaku i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, nesër do të vizitojnë së bashku shkollën “Model”, pastaj do ta vizitojnë edhe qendrën e thirrjeve që është një bashkëpunim me sektorin privat, por edhe do ta hapin qendrën e mjekësisë familjare në lagjen Tophane.