Baton Haxhiu: Edi Rama hyri i frikësuar në debat me analistët, unë e drejtova mirë emisionin!

31.10.2016 20:52:03
Drejtuesi i emisionit politik Zona e Debat që transmetohet në Klan Kosova Baton Haxhiu, ka përshkruar prapaskenat e debatit ndërmjet kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe analistëve kosovarë, i cili u zhvillua të enjten e kaluar.

Duke komentuar organizimin dhe rrjedhën e debatit, Haxhiu tha se shefi i ekzekutivit shqiptar nuk ishte i trimëruar para ballafaqimit me analistët kosovarë.

“Edi Rama ka hyrë i frikësuar në debat, çdo gabim i tij shndërrohet në ortek të komenteve dhe fyerjeve dhe kritikave, andaj kjo Ramës i kushton votë. Ai ka pritur që debati të orientohet ndryshe dhe pyetja e parë e Dardanit mendoj se e ka frikësuar atë. Kjo nuk do të thotë që nuk ka pasur pyetje, ishin 27 pyetje të forta gjatë këtij debati”, tha Haxhiu në studion e Info Magazines në Klan Kosova.

Haxhiu tha se nuk shqetësohet për kritikat se nuk drejtoi mirë debatin.

“Nuk shqetësohem për reagimet fare. Problemi është që unë e kam kryer punën time, analistët por edhe shikuesit e kanë pasur dëshirë Edi Ramën në përballje”, tha ai.

Drejtuesi i emisionit Zona e Debatit insistoi se debati i së enjtes ka qenë i realizuar në mënyrë profesionale, por ka thumbuar debatuesit të cilët pas përfundimit të emisionit drejtuan kritika në adresë të tij.

“Në debat nuk ka ndodhur asnjë gjë që nuk ndodh në studiot e botës. Disa kanë pasur mungesë etike sepse nuk shkruhet pas debatit ”, tha Haxhiu.

Ai komentoi edhe përbërjen e analistëve, duke thënë se ka pasur edhe të tjerë që kanë mundur të jenë në debat.

“Ka pas edhe të tjerë të ftuar por për arsye parimore nuk kanë qenë pjesë e debatit. Unë mendoj se po e shikove debatin me vëmendje nga aty mbahen mend batutat, derisa medoemos duhet të them se debati e ka tejkaluar dialogun politik”, tha ai.

Ai tha se nuk e kupton reagimin histerik kundër analistëve, duke shfaqur shembuj të cilat i ka kaluar gjatë karrierës së tij.

“Në jetën time kam marrë pjesë në qindra debate, kam dal mirë, kam dal keq, por nuk e di pse njerëzit e marrin prezencën dhe përfundimin e debatit si fund i çdo gjëje. Opinioni ka qenë histerik në reagim”, tha ai.

Haxhiu i cili nuk foli shumë gjatë debatit, në studion e Info Magazines komentoi edhe përgjigjen më të mirë që kryeministri i Shqipërisë e dha gjatë emisionit.

“Përgjigja më e mirë e Ramës ka qenë se ne e kemi fituar luftën duke e elaboruar raportin me Serbinë”, përfundoi Haxhiu.