Bayern shkatërron Dortmundin dhe fillon shkëputjen

05.11.2017 00:06:16

Bayerni i Heynckes nuk ka të ndalur, teksa sot mori fitoren e 4-t radhazi në kampionat, në shtëpinë e rivalit kryesor, Borusias së Dortmundit.

Bavarezët arritën të dominojnë takimin që nga fillimi dhe të marrin fitoren me rezultatin e pastër 1-3. Skuadra e Heynckes kaloi në avantazh me anë të holandezit Robben, në minutën e 17’, ndërsa polaku Lewandowski dyfishoi shifrat në të 37-ën.

Në minutën e 67’, ishte mbrojtësi austriak David Alaba, që shënoi golin e 3-të dhe vulosi fitoren. Në minutat në vijim Bayerni administroi rezultatin, ndërsa Dortmundi arriti të gjejë golin e nderit, me anë të mbrojtësit spanjoll Bartra, vetëm 2 minuta nga përfundimi i kohës së rregullt.

Pas 11 javësh të Bundesligës, Bayerni i Mynihut kryeson me 26 pikë, i ndjekur nga Leipzig me 22 dhe Dortmund me 20. Një muaj më herët, Dortmundi kishte një avantazh prej 5 pikësh me Bayernin, porn ë vetëm 4 javë, skuadra e Heynckes përmbysi gjithçka, duke marrë të gjitha pikët e mundshëm. Nga ana tjetër, verdhezinjtë, kanë marrë vetëm 1 pikë në 4 javët e fundit, ndërsa 3 ndeshjet e tjera i kanë humbur.