Bayerni del nga kriza, mposht 2-1 Leverkusen

27.11.2016 01:00:38

Bayern Munich i jep një shkelm krizës duke u rikthyer te fitorja në kampionat. Me shumë vështirësi bavarezët e Carlo Ancelottit mposhtën 2-1 Bayer Leverkusenin në Alianz Arena duke e ngushtuar në 3 pikë disavantazhin ndaj Leipzigut skuadrës surprizë të këtij sezoni që kryeson klasifikimin. Në minutën e 30-të Thiago Alcantara zhbllokoi shifrat duke goditur saktë me kokë një top të kthyer nga Leno pas një goditjeje të kapitenit Lahm. Por nuk kaloi shumë dhe Hakan Calhanonglu me një goditje të bukur vendosi sërish baraspeshën. Golin e fitores për Bayern-in që kishte vlerën e tre pikëve e realizoi Mats Hummels. Shtatlarti gjerman i mbrojtjes së Bayernit shënjestroi saktë me kokë pas një harkimi të Kimmich nga këndi kur kishin kaluar 10 minuta nga fillimi i pjesës së dytë. Ky ishte goli i parë për Mats Hummels me fanellën e Bayern-it në Bundesligë. Në pjesën e mbetur të ndeshjes, Leverkuseni pati disa mundësi të mira për të barazuar shifrat por Neuer dhe fati i mohuan golin e barazimit skuadrës së Roger Schmitd.