Bayerni dhe Leipzig nuk ndalen në Bundesliga

28.01.2017 23:30:40

As Werder Bremen nuk ndal dot hovin e Bayernit të Mynihut. Në Weser-Stadion,  bavarezët e Carlo Ancelottit regjistruan fitoren e 7-t rradhazi në Bundesligë duke ruajtur avantazhin prej 3 pikësh ndaj Leipzigut ndjekës në krye të klasfikimit. Një tjetër sukses 1-2 për Bayernin pas atij ndaj Freiburgut edhe pse këtë herë kampionët e Gjermanisë zgjidhën gjithcka që në pjesën e parë. Për të vendosur në shinat e duhura sfidën ndaj Werderit mendoi dyshja Ribery-Robben. Francezi në të 30-tën gjeti me një pasim perfekt, holandezin fluturues me Robben-in që nuk fali dhe me një goditje të bukur nuk i dha asnjë shans portierit të skuadrës vendase, Wiedwald. Në fundin e pjesës së parë ishte Alaba ai që ja bëri me të thjeshta gjërat Bayern-it. Mbrojtësi austriak ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje standarte duke dyfishuar shifrat. Megjithatë bardhejeshilët u rikthyen në lojë me Max Krusen që në të 53-tën i asituar nga Junuzovic realizoi golin e parë për Werderin. Një finalizim që shërbeu thjeshtë për ta bërë më të bukur ndeshjen sepse deri në fund, Bayerni administroi shumë mirë avantazhin duke u ngjitur në kuotën e 45 pikëve pas 18 javëve të para.

Nuk gabon as Leipzigu që në Red Bull Arena mposhti 2-1 me përmbysje Hoffenheim-in duke shkaktuar humbjen e parë sezonale skuadrës së trajnerit Nagelsman. Në të 18-tën, Amiri i dha epersinë Hoffenheim duke shokuar deri diku skuadrën vendase. Por Leipzigu ka treguar që nuk dorëzohet lehtë dhe dicka të tillë e vërtetoi  edhe në këtë sfidë, duke përmbysur shifrat. Timo Werner në të 38-tën barazoi rezultatin ndërsa pas daljes me të kuq të sulmuesit të Hoffenheimit Sandro Wagner në të 60-tën, ndeshja u luajt vetëm në një portë. Për ti dhënë fitoren Leipzigut mjaftoi një goditje e Sabitzer në të 77-tën që pas një devijimi përfundoi në fund të rrjetës. Një sukses ky që e ngjiti Leipzigun në kuotën e 42 pikëve.