Bayerni dhuron spektakël, mbijetesa një dilemë

13.05.2017 23:32:47

9 ndeshje, 37 gola në raundin e 33 në Bundesligë. Më shumë u shënua në Leipzig, Bremen dhe Mainz. 5 herë kampionët rradhazi shënuan 5 herë në portën e nënkampionëve. Leipzig kryesonte 4-2 në 65′, pas kësaj Bayern show në një sfidë jubilare për Costa’n dhe Bernat.

Braziliani luajti ndeshjen e 50, ndërsa spanjolli të 100 për Bayern. Lewandowski shënoi golin e 30 në kampionat, ndërsa Alaba dhe Robben kompletuan përmbysjen në transfertën e fundit të Lahm dhe Alonso’s, të cilën Ribery e mbylli përpara kohe, i dëmtuar.

Dortmundi barazoi në Bavari ndaj Augsburg por debateve të brendshme mes Tuchel, lojtarëve dhe drejtuesve iu shtua edhe dëmtimi i Julian Weigl. 3-4 muaj jashtë cka do të thotë se mesfushori humbet Kupën e Konfederatave në Rusi dhe pregatitjet për sezonin e ri.

Në klasifikim verdhezinjtë ruajnë vendin e 3-të kur duhen 90′ deri në fund. Hoffenheim ishte skuadra e dytë që shënoi 5 gola dhe ashtu si Bayern e bëri këtë në transfertë, ndaj Werder në Bremen. Banda e Nagelsman ka shënuar 4 gola më pak se Dortmund dhe për të kapur vendin e 3 duhet një mrekulli të shtunën e ardhshme.

Werder do ta mbyllë sezonin në Dortmund dhe vështirë se mund të kapë trenin e Europa League në Westfali. Barazim i artë ai që Hamburg arriti në Gelsenkirschen ndaj Schalke 04. Ishte ndeshja e fundit e Klaas-Jan Huntelaar që do të largohet pas 7 vitesh në skuadër.

Hamburgu e ka siguruar Playout’in por mund të qëndrojë mes më të mirëve pa pasur nevojë për ndeshjen shtesë. Kjo nëse fiton ndeshjen e fundit në shtëpi, ndaj Wolfsburg.