Bayerni me mungesa ndaj Dortmundit

17.11.2016 18:13:40

Këtë të Shtunë në orën 18.30 luhet klasikja e futbollit gjerman. Në Signal Iduna Park, Borussia e Dortmundit pret Bayern Munich në një duel që gjithmonë ka prodhuar spektakël dhe emcione të shumta. Dortmundi aktualisht numëron 6 pikë më pak se bavarezët e Carlo Ancelottit në tabelën e klasifikimit, por në një sfidë të tillë nuk ka favoritë dhe dicka të tillë e lanë të kuptohet në intervistat e tyre, mbrojtësi brazilian i Bayern-it, Rafinha por edhe kapiteni Philip Lahm i cili vlerësoi maksimalisht Dortmundin.  Nëse skuadra e Thomas Tuchel vjen në këtë sfidë pas fitores bindëse me shifrat 5-2 ndaj Hamburgut në transfertë, Bayerni shkon në Westfali pas barazimit zhgënjyes ndaj Hoffenheim-it në shtëpi, hap fals ky që i lejoi debutuesve të Leipzigut ti bashkoheshin ekipit të Ancelottit në kuotën e 24 pikëve në krye të Bundesligës. Megjithatë problemet janë të shumta për Bayernin në vigjilie të klasikes së futbollit gjerman. Përvec Jerome Boateng trajneri Carlo Ancelotti për arsye dëmtimi nuk mund të ketë në dispozicion tre lojtarë të tjerë me peshë për këtë sfidë. Kështu Arjen Robben, Arturo Vidal dhe Javi Martinez janë në dyshim të madh për duelin e kësaj të Shtune. Të tre futbollistët nuk u stërvitën me grupin këtë të Enjte dhe me shumë gjasa do të mungojnë ndaj Borussias së Dortmundit. Robben dhe Martinez kanë probleme fizike, ndërsa Vidal u largua i dëmtuar nga sfida mes Kilit dhe Uruguay-it. Drejtuesit e Bayern-it i kishin kërkuar federatës kiliane të futbollit të mos e aktivizonte lojtarin në atë sfidë pasi Vidal kishte probleme por këta të fundit nuk pranuan dhe tashmë pasojat duhet ti vuajë Bayerni.