BBC: Kosovë-Serbi, pse shkëmbimi i territoreve mund ta zbutë përçarjen

08.09.2018 20:34:18
Është një çast historik, apo një propozim që do të thotë luftë? Kur vjen puna te ideja e shkëmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës, përgjigjja e kësaj pyetjeje është: “Varet se kë pyet”.

Pra, a është ky fundi i një ngërçi?

Mbështetësit e kësaj ideje thonë se këmbimi i territoreve do t’i jepte fund mosmarrëveshjes që ka 10 vite që e mban situatën pezull, qëkur Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia.

“Ndryshimet e kufijve mund të duken diçka pa shije”, thotë Xhejms Ker Lindsej, një specialist për Ballkanin te Shkolla Ekonomike e Londrës. “Po të kishte një marrëveshje midis dy palëve, do të hapej rruga për normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin. Kështu, Prishtina do të lejohej më në fund të ishte anëtare e OKB-s”.

Por ideja ka marrë goditje të njëpasnjëshme, që para se të artikulohet.

Në vitet 1990, Ballkani Perëndimor pati shumë ndryshime kufijsh. Më shumë se 100,000 veta u vranë dhe me miliona u dëbuan, për shkak të konflikteve etnike.

Foto: Serbë të Mitrovicës dalin në rrugë, në vitin 2017, teksa përshkallëzohen tensionet për shërbimet e trenit nga Serbia.

Recetë për konflikt?

Paddy Ashdown ka vëzhguar pasojat në Bosnje, si përfaqësues i lartë ndërkombëtar. Ai është bashkautor i një apeli për Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, të cilës i kërkojnë të përjashtojë përpjekjet për këmbim territori.

“Zhvendosja e kufijve nuk do ta zgjidhë problemin, por do ta thellojë”, shkruan letra, duke paralajmëruar se politikanët nacionalistë mund ta përdorin këmbimin e territorit për të nxitur ndarjen e Bosnjës.

“Paqja e qëndrueshme mund të vijë vetëm kur të mësojmë të jetojmë në bashkësi multi-etnike, në vend që të vizatojmë kufij për të krijuar shoqëri mono-etnike. Kjo është politika që ka më shumë gjasa të na kthejë te ndarja dhe konfliktet e Ballkanit”, thotë ai.

Mogerini do të luajë një rol kyç në këtë mes. Ajo ka drejtuar bisedat e normalizimit në Bruksel midis presidentit Serb Aleksandër Vucic dhe homologut të tij nga Kosova, Hashim Thaci.

Pa përmendur specifikisht këmbimin e territoreve, ajo i ka nxitur të dyja palët që të sheshojnë mosmarrëveshjet.

“Ka ardhur koha t’i japim fund konflikteve”, tha ajo të hënën.

“Kam besim se Presidentët Vuçic dhe Thaçi do të arrijnë një marrëveshje detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve. Dhe kjo marrëveshje duhet të jetë sipas ligjeve ndërkombëtare, dhe që të synojë krijimin e një stabiliteti afatgjatë në të gjithë rajonin”.

Brukseli, çelësi për Kosovën dhe Serbinë

Dialogu i normalizimit nisi që me paraardhësen e Mogerinit, Catherine Ashton. Ajo tha për BBC se të dy presidentët po përpiqeshin ta përfundonin atë proces, por miratimi ndërkombëtar do të ishte thelbësore për çdo marrëveshje.

“Zgjidhja do të ishte te mënyra se si do të përgjigjet Brukseli. Ata do të shkojnë në Berlin e do të flasin me Parisin e vendet e tjera. Në fund të fundit, synimi për të dy është hyrja në BE”, thotë ajo.

Këtë javë, Mogerini tha se ka ardhur koha që konflikti Kosovë-Serbi të marrë fund. Gjermania është shprehur haptazi kundër ndryshimeve të kufijve, por nuk ka marrë mbështetje nga vendet e tjera të BE-së, ndërkohë që Britania ka angazhime të tjera.

Prandaj, nuk është habi që komisioneri për zgjerim, Johanes Hahn, ka folur për një çast historik midis Serbisë dhe Kosovës.

Një tjetër çështje janë edhe problemet lokale. Nacionalistët në Serbi e Kosovë nuk do të duan marrëveshje që kërkon lëshime ndaj palës tjetër.

Ish komandanti i UÇK-s, tashmë kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka kundërshtuar fort marrëveshjen, duke thënë që ndryshimi i tyre do të çonte drejt luftës.

Serbët në Mitrovicë, ndërkohë, druajnë se do të braktisen, nëse veriu i kthehet Serbisë.

Një diplomat europian tha për BBC se këmbimi i territorit ishte një synim serioz nga pala serbe, por mungesa e bashkimit në Prishtinë mund të shfaqej si problem.

“Thaci ka vepruar i vetëm deri tani. Nuk ka dhënë argumente që të tërheqë më shumë njerëz. Mund të jetë propozim i mirë, por ai duhet ta shesë”.

SHBA-të kanë treguar se nuk do të pengojnë asnjë marrëveshje dypalëshe. Qëndrimi i aleatit të Serbisë, Rusisë, është i vështirë të kthehet. Presidenti rus Vladimir Putin pritet të vizitojë Beogradin muajin tjetër.

Pse tani?

Nëse kapin një marrëveshje, të dyja palët do të kenë përfitime.

Kosovës mund t’i njihet pavarësia nga 80 vende që kanë refuzuar.

Serbia, nga ana tjetër, mund të përmbushë një kusht kyç për anëtarësimin në BE.

Tashmë që Maqedonia dhe Greqia janë duke e zgjidhur përplasjen e tyre të vjetër, duket se është çasti i duhur për të zgjidhur një tjetër konflikt në Ballkan.

Për Kosovën dhe Serbinë, dera mbetet e hapur.

BBC, Guy Delauney