BDI: Në qeveri për të zbatuar barazi, drejtësi, integrim dhe zhvillim ekonomik

04.03.2017 16:57:51

BDI ka treguar arsyet pse po dëshirojnë të bashkohen në Qeveri e cila do drejtohej nga Zoran Zaev.

“Në mbledhjen e mbrëmshme, përveç kërkesës drejtuar Ivanovit për ta tërhequr vendimin e tij antikushtetues, Kryesia Qëndrore e Bashkimit Demokratik për Integrim vendosi unanimisht dhe në përputhje me pritjet e votuesve, qytetarëve si dhe të miqve të komunitetit ndërkombëtar që të bëhet pjesë e shumicës kushtetuese parlamentare për të formuar qeverinë e re reformiste, kohezive dhe integruese të Maqedonisë”, thuhet në njoftimin e BDI-së.

“Përveç shprehjes së mëhershme të përkrahjes nëpërmjet të dhënies së nënshkrimeve të 10 deputetëve të BDI-së për marrjen e mandatit për formim të Qeverisë, vendimi i mbrëmshëm nënkupton edhe përcaktimin e Bashkimit Demokratik për Integrim për t’u bërë pjesë e shumicës së re parlamentare në Kuvendin e Maqedonisë dhe zgjedhjen e një Qeverie të re reformiste, në frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe të përkushtuar për sundim të ligjit dhe integrim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

“Qytetarët shqiptar shprehën përkrahje për programin tonë zgjedhor që synon barazi, drejtësi, integrim dhe zhvillim ekonomik, duke na bërë ngadhnjyes dhe ne e kemi për detyrim demokratik që vullnetin e votuesve ta realizojmë nëpërmjet të zbatimit të përbetimeve tona dhe kontratës së lidhur me qytetarët”, thuhet në njoftimin e BDI-së.