BE anulon projektet për Mitrovicën e Veriut, Gjermania dhe Franca përkrahin vendimin

26.07.2017 18:42:03

Gjermania dhe Franca, i ka dhënë mbështetje të plotë vendimit të Përfaqësueses speciale të Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, për pezullimin e mbështetjes financiare prej 7,8 milionë euro për Mitrovicën e Veriut.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për media.

Në këtë komunikatë, të lëshuar nga Ambasada e Francës në Prishtinë edhe në emër të Ambasadës Gjermane, thuhet se në të vërtetë, “zyra e BE-së thekson se autoritetet lokale nuk i respektuan kushtet për të cilat ishin rënë dakord reciprokisht, largimi i ndërtimeve pa leje dhe qasja e lirë në të gjitha vendpunishtet”.

“Shfrytëzimi i fondeve të BE-së të siguruara për të mirën e popullatës lokale duhet të jetë transparent dhe të mbikëqyrura, duke përmbushur gjithashtu edhe kushtet e përcaktuara në kontratën ndërmjet Komunës së Mitrovicës dhe Zyrës së BE-së”, përfundon komunikata e Ambasadave.

Më 21 korrik Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, ka hequr dorë nga të gjitha projektet në Mitrovicën Veriore në vlerë prej 7. 8 milionë eurove.

Në këtë pjesë ishte parashikuar të ndërtohej një Shtëpi e Kulturës dhe një objekt i ri për Universitetin në Veri.

Por projektet janë anuluar pasi pushteti lokal, nuk ka arritur të largojë objektet e ndërtuara pa leje.