BE i “ndjek procedurat” në lidhje me arrestimin e Nehat Thaçit, por nuk i komenton ato!

14.10.2016 21:35:20

Arrestimi javë më parë – nga autoritetet serbe – i drejtorit të Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçit, nxiti reagime të shumta në vend.

Lidhur me këtë çështje, Kuvendi i Kosovës të martën mbajti një konferencë të jashtëzakonshme, ku u kërkua që Nehat Thaçi të lirohet sa më parë.

Kjo seancë u mbajt pas iniciativës së deputetit Gëzim Kelmendi, iniciativë kjo që u mbështet nga të gjitha partitë politike.

Një ditë pas seancës së jashtëzakonshme, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan rezolutën gjashtë-pikëshe të propozuar nga dy partitë e koalicionit qeverisës, PDK-LDK, e cila ka marrë 51 vota për, 13 kundër dhe tetë abstenime.

Në këtë rezolutë është kërkuar që Bashkimi Evropian të ndërhyrje në këtë proces.

Telegrafi ka kontaktuar me zyrën e BE-së, për të parë nëse do t’i bëjnë presion Serbisë për lirimin e Thaçit.

“BE është duke i ndjekur me shumë vëmendje procedurat ligjore në lidhje me arrestimin e Nehat Thaçit por, si rregull i përgjithshëm, BE nuk i komenton procedurat që janë në zhvillim”, thuhet në përgjigjen e zyrës së BE-së për Telegrafin.

Më tej, zyra e Bashkimit Evropian ka theksuar se BE e përkrah pavarësinë e sistemit gjyqësor, pa interferime politike

“Presim që çdo shtet me perspektivë të BE-se, përfshirë edhe Kosovën dhe Serbinë, ta respektojnë të njëjtën gjë”, thuhet më tej në përgjigje, ku theksohet se “arrestimi i Thaçit dëshmon se progresi i normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, përmes bashkëpunimit të ndërsjellët në fushën e sistemit të drejtësisë, do t’i kontribuonte zgjidhjes së problemeve”.

Thaçi u arrestua javë më parë në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë, përderisa ishte duke udhëtuar për Serbi. Autoritet serbe kanë deklaruar se arrestimi tij është bërë për shkak se ndaj tij ekziston një urdhërarrest që, sipas tyre, “Thaçi ka kryer terrorizëm”.