BE-ja e gatshme për të ndërmjetësuar në konfliktin e gazit Ukrainë- Rusi

02.03.2018 18:03:27
Bashkimi Evropian është gati për të ndërmjetësuar në konfliktin e fundit për gazin në mes të Ukrainës dhe Rusisë, pasi nënpresidenti i Komisionit Evropian, Maros Sefçoviq, pritet të kontaktojë me ministrat e energjisë të të vendeve gjatë ditës së sotme.

Duke folur në një konferencë për media në Bruksel, zëdhënësja e nënpresidentit, Anna-Kaisa Itkonen, ka thënë se “Sefoçoviq është kontakuar dje nga ministri për Punë të Jashtme të Ukrainës, dhe është konsultuar me të lidhur me zhvillimin e negociatave tripalëshe së bashku me Rusinë dhe Ukrainën”.

“Si zakonisht, Komisioni është i gatshëm për të lehtësuar bisedime të tilla, kur ka kërkesë nga të dy palët”, ka thënë ajo.

Kievi dhe Moska janë përfshirë në një konflikt të ri për gazin, pas vendimit të djeshëm të Gazpromit, që udhëhiqet nga Rusia për të mos nisur furnizimet drejt Ukrainës.

Ky vendim ka detyruar Kievin të ulë përdorimin e gazit, pavarësisht temperaturave shumë të ulëta.

Gazprom ka deklaruar se ka rikthyer një parapagim të Ukrainës dhe nuk do të rifillojë furnizimin me gaz për shkak se ende nuk është arritur një pakt shtesë, në kuadër të marrëveshjeve ekzistuese.

Ky hap nga Gazprom ka ardhur pas vendimit të muajit të kaluar të Gjykatës së Arbitrazhit në Stokholm, sipas së cilës Gazprom duhet t’i paguajë 2.56 miliardë dollarë, kompanisë ukrainasë, Naftogaz.

Konflikti ndër vite i të dy kompanive, është produkt i tensioneve rajonale në mes të dy shteteve, duke përfshirë vendimin e Rusisë për të aneksuar Krimenë nga Ukraina, dhe mbështetjes që i bën shteti rus separatistëve në lindje të Ukrainës.