BE-ja mund ta ndihmojë vetingun në drejtësi

28.08.2018 08:34:09

Bashkimi Evropian (BE) mund ta ndihmojë Kosovën për ta realizuar procesin e vetingut në sistemin e drejtësisë nëse institucionet vendore kërkojnë mbështetjen e tyre.

Pas dorëheqjes së prokurorit të Prokurorisë Speciale Elez Blakajt, siç ka thënë ai për shkak të hetimeve që i ka zhvilluar për fryrje të listave të veteranëve të UÇK-së, shoqëria civile ka nisur protestat duke kërkuar shkarkimin e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi dhe një veting për gjyqësorin në vend.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses për Politikë të Jashtme të BE-së Federica Mogherinit, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se nëse Kosova ose partnerët e tjerë kërkojnë mbështetjen e Komisionit Evropian (KE) ky i fundit do t’i shqyrtojë rrethanat specifike, duke përfshirë edhe proceset e mëparshme për vlerësimin e gjyqtarëve, të prokurorëve dhe të profesioneve të tjera ligjore.