BE-ja ripërsërit: Për Trepçën vendos Kosova nëse futet në dialogun e Brukselit

11.10.2016 22:51:45

Komisioni Evropian “është në dijeni” për pozicionin e marrë nga Qeveria e Serbisë lidhur me miratimin nga Kuvendi i Kosovës të ligjit për “Trepçën”, ka deklaruar sot zëdhënësja e Komisionit, Maja Kocijançiq.

Ajo, me rastin e vendimit të Qeverisë së Serbisë “për anulimin e të gjitha pasojave ligjore” të institucioneve të Kosovës për Trepçën, ka përsëritur qëndrimin e së hënës nga selia e Komisionit Evropian në Bruksel, transmeton lajmi.net.

“Ne jemi në dijeni me faktin se Kuvendi i Kosovës e ka miratuar ligjin për Trepçën. Gjithashtu jemi të njohur edhe me faktin dhe pozicionin e Qeverisë së Serbisë për këtë”, ka thënë Kocijançiq për Tanjug.

Sikur edhe dje, Kocijançiq edhe sot ka thënë se nëse Kosova (Prishtina) nuk pranon që kjo temë të jetë në tryezën e dialogut në Bruksel, atëherë BE-ja e vetme dhe vetëm me pëlqimin e Serbisë (Beogradit) nuk mund ta bëjë një gjë të tillë.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq sot më herët gjatë ditës ka njoftuar për vendimin e Qeverisë së Serbisë lidhur me Trepçën, por se kjo nuk është marrë parasysh nga zyrtarët qeveritarë të Kosovës.