BE-ja thotë se fati i Kosovës për viza është në duart e shteteve anëtare

21.04.2020 21:11:19

Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret të gëzojë lëvizjen e lirë pa viza.

Kjo deklaratë është dëgjuar shumë shpesh nga viti 2018 nga Bashkimi Evropian, përfaqësues të lartë të Unionit në Ballkan dhe Kosovë, megjithatë Kosova ende vazhdon të jetë e izoluar dhe i detyrohet vizave për të lëvizur në vendet e Evropës,

Lajmi.net ka kërkuar edhe njëherë versionin e Bashkimit Evropian lidhur me mos-liberalizimin e vizave për Kosovën dhe këta të fundit kanë thënë se qëndrimi i tyre vazhdon të jetë ai i korrikut të 2018-tës, se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

“Komisioni ka konifmuar në korrik të vitit 2018 se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për Liberalizimin e Vizave. Deklarimet tona qëndrojnë ende”, thuhet në përgjigjen e Bashkimit Evropian.

Të pyetur se kur presin që liberalizimi i vizave të ndodh, BE për lajmi.net thonë se mbetet në diskrecionin e Shteteve Anëtare të Bashkimir Evropian të shtyjnë përpara këtë çështje.

“Pas votimit në Parlamentin Evropian, tani është në dorën e shteteve anëtare të Unionit Evropian të shtyjnë përpara këtë. Ne i inkurajojmë ata të procedojnë me heqjen e vizave për Kosovën”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Në anën tjetër, në Kosovë ekziston një zhgënjim i madh me Bashkimin Evropian për çështjen e liberalizimit të vizave.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka quajtur mos-liberalizimin e vizave për Kosovën deri më tani si ndëshkim pa meritë që Kosova po e merr nga Bashkimi Evropian dhe si një padrejtësi e madhe që po i bëhet vendit.

Kështu, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti në konferencën e tij ku paralajmëronte para disa javësh heqjen e pjesshme të tarifave, pati kërkuar liberalizimin e vizave nga BE para datës 7 maj, kur planifikohet edhe Samiti i Zagrebit.

E njohësit e çështjeve integruese kanë thënë se pandemia mund të shtyjë proceset integruese të Kosovës, kështu edhe liberalizimin e vizave, pavarësisht se kjo varet edhe nga vendet anëtare të BE-së.

Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve integruese, Arben Fetoshi për lajmi.net ka thënë se me krizën aktuale këto procese po ashpërsohen. Ai thotë se me marrjen e presidencës nga Gjermania më 1 korrik, gjërat mund të ndryshojnë për të mirë.

“Vendimi për këtë proces është mbajtur peng për dy arsye: e para për shkak të sfidave të brendshme të shteteve anëtare hezituese, por edhe si mjet presioni ndaj Kosovës në kuadër të dialogut me Serbinë. Prandaj, qasja evropiane ndaj liberalizimit të vizave do të varet, përveç nga kohëzgjatja e sfidës së Covid-19, edhe nga zhvillimet politike në Kosovë. Me krizën aktuale politike e cila veç sa po ashpërsohet, nuk mund të pritet që kjo e drejtë të procedohet në Këshillin e BE-së. Mirëpo, nëse tejkalohet kriza dhe meqenëse nga 1 korriku presidencën e merr Gjermania, jam optimist se vendimi nuk do të vonohet edhe shumë.”, tha Fetoshi.

Në anën tjetër, se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për lëvizje pa viza e ka thënë edhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova para disa javësh për lajmi.net.

“Ne duam që kosovarët të jenë në gjendje të udhëtojnë pa viza sa më shpejt që të jetë e mundur. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian e kanë thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet, dhe kanë rekomanduar që të hiqen vizat për Kosovën. Tani duhet të merret një vendim përfundimtar nga shtetet anëtare të BE-së. Autoritetet e Kosovës duhet të bëjnë gjithçka munden që t’i bindin sa më shpejt shtetet anëtare të BE-së se pranimi i udhëtimit pa viza brenda Zonës Schengen për kosovarët është një fitore për të dyja palë.”, kishte thënë Apostolova.

Megjithatë problemi kryesor i Kosovës mbeten 5 vendet anëtare të Bashkimit Evropian të cilat nuk e njohin Kosovën ende si shtet dhe vota e tyre është e garantuar kundër liberalizimit të vizave për Kosovën.