BE kërkon nga deputetët të mos i kontestojnë vendimet e gjykatave

27.10.2016 10:48:31

Në një deklaratë për media, Zyra e BE-së tha se deputetët duhet që ta kenë në konsideratë ndarjen e pushteteve dhe të mos përzihen në vendimet e gjykatave.

Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të përmbahen nga thirrjet që vënë në pikëpyetje vendimet e gjykatave.

Në një deklaratë për KALLXO.com, Zyra e BE-së tha se deputetët duhet që ta kenë në konsideratë ndarjen e pushteteve dhe të mos përzihen në vendimet e gjykatave.

“Në një demokraci, parlamenti është vendi për debat politik rreth çështjeve kryesore në interes të njerëzve. Ky debat megjithatë duhet të bëhet gjithmonë në respekt të plotë të ndarjes së pushtetit të gjyqësorit, ekzekutivit dhe legjislativit, si themele të demokracisë. Zyrtarët e zgjedhur dhe autoritetet publike, përfshirë edhe deputetët, duhet që megjithatë të përmbahen nga thirrjet që vënë në pikëpyetje vendimet e gjykatës pasi që zbatimi i sundimit të ligjit kërkon respektim të pakusht të vendimeve të gjykatës dhe ndarjes së pushteteve”, thuhet në deklaratën e Zyrës së BE-së për KALLXO.com.

Thirrja erdhi në ditën kur deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen në një debat të iniciuar nga deputetët kryesisht të partisë në pushtet, PDK, për ta miratuar një rezolutë kundër vendimit të gjykatës me të cilin vërtetohet dënimi ndaj disa ish pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Kosovës, përfshirë një ish- ambasador, një deputet dhe një kryetar komune.