BE kritikon Serbinë që emëroi ligjërues një kriminel lufte

30.10.2017 21:10:55
Zëdhënësja e BE-së Maja Kocijanciç tha për BIRN të hënën se Serbia ka “devijuar” nga parimet që duhet të mbajë si kandidate për anëtarësim në BE duke emëruar gjeneralin Vladimir Llazareviq, i cili kreu dhjetë vjet burg për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë, si pedagog në Akademinë Ushtarake Serbe.

“Ne presim që liderët politikë t’i nderojnë viktimat e konflikteve të kaluara dhe të promovojnë në mënyrë të sinqertë pajtimin në Ballkanin Perëndimor, i cili është tepër i rëndësishëm për stabilitetin, të ardhmen paqësore dhe prosperitetin,” tha Kocijanciç në një deklaratë.

Ajo gjithashtu tha se liderët politikë duhet të kapërcejnë përpjekjet për të kapërcyer trashëgiminë e vështirë të së kaluarës dhe për të nxitur besimin, dialogun dhe tolerancën reciproke.

“Serbia, si një vend kandidat, nuk mund të devijojë nga këto parime, ndërkohë që emërimi i një krimineli të dënuar lufte në Akademinë Ushtarake Serbe shkon pikërisht kundër këtyre parimeve,” shtoi ajo.

Llazareviq, i cili u prit si hero pas kthimit nga burgu në vitin 2015, mbajti të enjten leksionin e tij të parë në temën “heroizmi dhe njerëzimi” i ushtarëve serbë gjatë “operacioneve kundër terroriste” në Kosovë në vitet 1998-1999 dhe bombardimet e NATO-s të Jugosllavisë në vitin 1999.

Ministri i Mbrojtjes Aleksandar Vulin, i cili e quajti Llazareviqin një “model për t’u ndjekur kur lajmëroi se atij do t’i jepej ky post më 18 tetor, ka thënë gjithashtu se komandantë të tjerë nga luftërat e viteve 1990 do të emërohen si ligjërues.

Lavdërimi i Vulinit për kriminelët e dënuar të luftës u kritikua nga ambasadori i SHBA-së në Beograd, Kyle Scott, i cili u sulmua nga mediat serbe.

Sipas vendimit në gjyqin e Llazareviqit, ai ndihmoi dhe mbështeti dëbimin e shqiptarëve nga Kosova dhe kreu akte të tjera çnjerëzore duke ofruar ndihmë praktike për pjesëtarët e Ushtrisë Jugosllave.

Si rezultat i kësaj, rreth 11,000 shqiptarë të Kosovës u vranë dhe rreth 700,000 u dëbuan në Shqipërinë fqinje, Malin e Zi dhe Maqedoni.

Gjykata vendosi që Llazareviq ishte i vetëdijshëm për faktin se kundër civilëve dhe pronës civile gjatë operacioneve të Ushtrisë Jugosllave dhe ministrisë së Brendshme të Serbisë në Kosovë ishin kryer vepra kriminale.

Autoritetet serbe kanë mirëpritur disa kriminelë të liruar lufte dhe i kanë ndihmuar ata të bëhen pjesëmarrës aktivë në jetën publike dhe politike.

Ish-oficeri i Ushtrisë Jugosllave Veselin Slhivançanin, i cili kreu burg për krime lufte që kanë lidhje me luftimet përreth Vukovarit, Kroaci, është një i ftuar i shpeshtë në eventet e organizuara nga Partia Progresive e presidentit Aleksandër Vuçiq.

Një tjetër krimineli të dënuar lufte, ish-zëvendëskryeministri Nikola Shainoviq, iu dha një post zyrtar në Partinë Socialiste, e cila është partneri kryesor i koalicionit të Partisë Progresive.