BE: Presim zgjidhje të qetë mes Shkupit dhe Beogradit

23.08.2017 12:26:07

Bashkimi Evropian mendon se incidenti diplomatik me tërheqjen e personelit nga ambasada e Serbisë në Shkup është çështje bilaterale mes dy vendeve dhe shpreson që Beogradi dhe Shkupi do ta tejkalojnë këtë rast në mënyrë të qetë.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian në një deklaratë për BIRN tha se BE-ja me vëmendje i ndjek ndodhitë dhe pret zgjidhje të mençur, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Presim që dy palët të tregohen të përmbajtur dhe në mënyrë të qetë të ballafaqohen me problemin, në frymën e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore”, thonë nga Komisioni Evropian.

Ndryshe, të dielën në mbrëmje Serbia vendosi që ta tërheq personelin e saj nga ambasada në Shkup, së pari pa arsye, ndërsa më vonë theksuan se ndaj të punësuarve në ambasadë ka pasur sjellje ofanzive.