BE: Rasti Navalny ka hedhur dyshime në pluralizmin politik në Rusi

26.12.2017 13:27:15

Një zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, thotë se moslejimi i politikanit opozitar, Aleksei Navalny, që të kandidojë në zgjedhjet presidenciale ruse në mars të vitit 2018, “ka hedhur dyshime serioze në sistemin e pluralizmit politik në Rusi” dhe perspektivën për zgjedhje demokratike në këtë vend.

Zëdhënësja, Maja Kocijançiq, tha sot se për Navalnyn, “Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut kishte marrë vendim se ai ishte privuar nga e drejta për proces korrekt në çështjen e tij gjyqësore në vitin 2013”.

Sipas saj, “akuzat e motivuara politikisht nuk duhet të përdoren kundër pjesëmarrjes politike”.

Këto komente u bënë një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Rusi, mori vendim për moslejim të kandidaturës së Navalnyt në zgjedhjet presidenciale, ku pritej se do të ishte rival kundër presidentit aktual, Vladimir Putin.

Komisioni, në vendimin e djeshëm, tha se Aleksei Navalny nuk mund të garojë, për shkak të dënimit penal nga e kaluara lidhur me akuza për keqpërdorim.

Navalny ishte dënuar me kusht, ndërsa këtë veprim të autoriteteve ai e ka përshkruar shumë herë si të motivuar politikisht.

Zëdhënësja, Maja Kocijançiq, tha se Bashkimi Evropian pret që Rusia t’i ftojë monitoruesit zgjedhor nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR).

“Bashkimi Evropian do t’i mbështesë vlerësimet e vta për procesin zgjedhor në gjetjet e tyre, siç kemi vepruar në të kaluarën”, tha Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini.

Aleksei Navalny, pas vendimit të komisionit për moslejimin e kandidaturës së tij, i ka ftuar mbështetësit e vet që t’i bojkotojnë zgjedhjet presidenciale ruse.

“Dalja në vendvotime tash është votim për gënjeshtra dhe korrupsion”, tha Navalny.