‘Befasia’, sekuestrohet 102 kg hashash; në pranga 4 persona

23.04.2017 11:01:05

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin “Befasia”, në kuadër të cilit janë arrestuar në flagrancë 4 persona. Në pranga kanë rënë shtetasit Arjan Mustafaj, 43 vjeç;  Shpëtim Sinaj, 40 vjeç; Erjon Zenelaj, 33 vjeç; Niko Dula, 41 vjeç.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kryenin aktivitetin e jashtëligjshëm të shitjes së lëndëve narkotike të dyshuar te llojit kanabis sativa, kryesisht në periferi të Tiranës. Në bazë të informacioneve është bërë e mundur goditja e këtij grupi dhe më saktësisht në aksin rrugorë Pezë – Ndroq.  Nga kontrolli në automjetet e këtyre shtetasve, në bagazhin e automjetit tip Mitsubishi, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 7 thasë të zinj të fshehur poshtë disa thasëve të tjere ngjyre të bardhë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: 102 kilogram lëndë narkotike, e llojit kanabis sativa; 2 automjete të markave të ndryshme dhe 8 aparate celulare të markave të ndryshme. Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë Tiranë për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim”.