Behar Gjoka: Martin Camaj, shpëtimtari i gegnishtes

15.09.2017 13:59:45

 

Camaj mund të quhet rilindasi i fundit. Ai mori gjithçka të ligjërimit letrar në gegnisht dhe arbërisht, që ishte prodhuar përpara tij dhe në kushtet e ndalimit të këtyre dy varianteve, në kushtet e vetmisë, ai arriti të vërtetojë se ata vazhdojnë të jenë funksionale, vazhdojnë të jenë pjesë e diversitetit gjuhësor..

Kjo është veçse një prej linjave që zhvillohen në librin më të ri studimor të studiuesit Behar Gjoka, i cili për pak ditë del në qarkullim me rastin e 85-vjetorit të lindjes së Martin Camajt. Gjoka thotë se libri i tij i ri studimor me titull “Rikthimi i Martin Camajt”, ku është vënë në fokus gjithë krijimtaria e tij letrare në poezi, prozë e dramaturgji, është fryt i një pune 7-vjeçare, së cilës i është kushtuar me plot pasion.
Në këtë intervistë, studiuesi Gjoka zbulon pak prej dy linjave të këtij libri, ato që lidhen me gegnishten e Martin Camajt dhe modernitetin që e sundon veprën e tij letrare…
Kur përmendim Camajn, një prej veçorive të krijimtarisë së tij që na vjen më shpesh ndërmend është gegnishtja. Sipas jush, pse lëvroi vetëm gegnishten gjatë gjithë krijimtarisë së tij letrare?
Për disa arsye mendoj. Jo vetëm për t’u shprehur më lehtë nëpërmjet saj, por prej vetëdijes se gegnishtja ishte varianti i parë i historisë së shkrimit të shqipes. Camaj ishte i vetëdijshëm gjithashtu se ky variant kishte krijuar një traditë të lëvrimit të poezisë me Mjedën, Fishtën, Shirokën, Migjenin, Koliqin… dhe e quante një betejë personale për të vërtetuar se varianti letrar i gegnishtes nuk ka gjasa të vdesë.
Në fakt, krijimtaria e tij e vërteton katërcipërisht këtë aspiratë dhe mision të krijuesit dhe shkrimtarit. Të krijuesit poet, prozator, dramaturg, pra i të gjitha zhanreve e gjinive letrare, por edhe të shkencëtarit, sepse gramatika e gegnishtes, punimi i disertacionit për “Mesharin” e Buzukut e një sërë punimesh të tjera janë trajtesa, që e vendosin gegnishten në qendër të ligjërimit të shqipes, jo si kundërvënie, por si ligjërim, jo si atakim, por si një rrugë normale e koinesë së gegnishtes.
Përveçse kaq, merita e Camajt është se ai, si askush në letërsinë shqipe futi në tekstet e tij edhe arbërishten. Ka faqe të romanit “Karpa” që janë shkruar me këtë koine. Po ashtu novelat “Shkundëllima”, dhe “Fshati me shtatë gjuhë”, që e marrin motivin nga jeta e arbëreshëve, shpërfaqin përkujdesin e Camajt për arbërishten.
Pra në kuptimin gjuhësor, Camaj është rilindasi i fundit që mori gjithçka të ligjërimit letrar në gegnisht dhe arbërisht, që ishte prodhuar përpara tij dhe në kushtet e ndalimit të këtyre dy varianteve, në kushtet e vetmisë, ai arriti të vërtetojë se këto dy variante vazhdojnë të jenë funksionalë, vazhdojnë të jenë pjesë e diversitetit gjuhësor. Camaj me krijimtarinë e tij letrare, me shqyrtimet e tij shkencore e gjuhësore, e mbajti të ndezur kandilin e ligjërimit të gegnishtes si askush nga shkrimtarët bashkëkohorë.
ç’emër mund t’i vëmë kësaj përpjekjeje të Camajt në kushtet kur shqipja zyrtare po synonte të njehsohej me shqipen letrare?
Do ta quaja një akt shpëtimtar për gegnishten, madje edhe për shqipen. Sipas meje, do të mjaftonte ky akt për të vërtetuar rolin dhe arritjet e shkrimtarisë së Martin Camajt si një dëshmi e shkrimit letrar, si gjuhë e letërsisë dhe gjuha e autorit e ndryshme nga zyrtariteti unifikues që në pjesën më të madhe e sterilizoi ligjërimin e shqipes. Në këtë kuptim Camaj shpëtoi nderin e humbur të akademikëve, të shkrimtarëve, që e bënë kompromisin e panevojshëm të përzierjes së gjuhës zyrtare me gjuhën e letërsisë. Liria e Camajt sidomos në ligjërimin e gegnishtes dhe arbërishtes, është modeli i mbijetesës së intelektualit, është modeli i krijuesit që i lë pas shpine kompromiset, është modeli i luftëtarit, që pa zhurmë lë monumente për kulturën…
E keni vlerësuar Camajn, si shkrimtarin më modern të letërsisë shqipe… Pse?
Nëse Camajn për një moment mund ta tejkalonim për shkak të “arkaizmit” të gjuhës, si ligjërues dalëzot i gegnishtes dhe arbërishtes, në kuptimin letrar, modernia e tij është e patejkalueshme. është shenjë, para së cilës nuk mjafton ta lexosh e rilexosh, nuk mjafton ta interpretosh e shqyrtosh në të gjitha hallkat. Do të duhet më së pari ta përjetosh si dëshmi e eksperimentit të pandërprerë. Në poezi, te Camaj gjejmë fillimin klasik të shprehjes. Por rrugëtimi i tij në poezi kulmon me vëllimet “Nema”, “Buelli” dhe “Palimpsest”, që në fakt në letrat shqipe nuk janë shkruar ende nga askush tjetër, por që për nga shenjëzimet artistike përqaset me tekstet poetike të Borhesit, Montales, Ungaretit, Eliotit etj…, pra është në rezonim me shkrimin poetik të përbotshëm. Nga ana tjetër, modernia e Camajt na zbulohet edhe në sinkretikën letrare, ku sipas mendimit tim, përfshihet “Djella” dhe “Dranja”, ku kemi gërshetim të poezisë me prozën, të vargut me rrëfimin, të epizmit me lirizmin, por “Dranja” nga lexuesit dhe studiuesit jo rastësisht emërtohet si kryevepra e Martin Camajt. Ky tekst në mënyrën e shkrimit është prozë, në frazën muzikore është madrigal, në ritmin e frazës është poezi, është prozë, është muzikë, është gjithçka. Pra është tekst fund e krye modern. Modernia në krijimtarinë në prozë të Camajt na shpërfaqet edhe në novelat e tij, por po kaq edhe në dy romanet fondamentale të letërsisë shqipe, “Karpa”, një roman fantastik, që e ka modernen në strukturë dhe në kompozim, si dhe “Rrathët”, një roman që të fanit rrathët dantesk të ferrit. Megjithatë, moderniteti i krijimtarisë letrare të Camajt shpërfaqet po kaq fuqishëm edhe në dramaturgji. Do të mjaftonte “Lojë masdreke” dhe “Kandili argjandit” për të prekur mjeshtërinë tashmë dramatike të shkrimtarit. Pra, Camaj bëri revolucion me variantin letrar të gegnishtes, por nga ana tjetër, eksperimenti që kreu ai në letërsi është shenja më e qartë e modernitetit, e udhëtimit që ka nisur dhe do të bëjë për shumë mote vepra letrare e Martin Camajt, që sa ç’ka shenjën shqiptare, aq ka shenjën universale. Camajn, nëse nuk e duam, le ta lexojmë sepse ai na fal pafundësisht, art magji, eksperiment… Aq duhet të bëjë një shkrimtar.