Behar Gjoka: Terror në Tiranë

12.05.2019 16:41:04

 

Nata e datës 11 maj, do mbetet në kujtesë, si nata e gazit helmues, lëshuar në udhët kryesore të saj. Terror kundër protestës, kundër qytetarëve. Terror dhe helm në bulevardin kryesor, Dëshmorët e kombit. E drejta e protestës është e drejtë njerëzore, e drejtë e lindur, e drejtë e garantuar nga kushtetuta, e drejtë jetike, për demokracinë, sepse protesta në gjithë këndvështrimet është shkolla e demokracisë. Terror, helm dhe ujë te parlamneti, jashtë perimetrit të rrezikut serioz, vetëm për të ndëshkuar protestën dhe protestuesit. Ku e merr të drejtën e ndëshkimit policia, e sidomos ku e merr të drejtën që të spërkas me terror Tiranën, rrugët e saj, sa të rrezikohet jeta e çdo qytetari, apo te udhërat politik të ministrit? Pika kulmore, ku merr te drejtën policia që të lëshohet me lukuni mbi Sait Dollapin, mbi qytetarin protestues, mbi përfaqësuesin e opozitës. Shumë larg keni shkuar zoti ministër, sa të pushtoni rrugët e Tiranës me gazlotësjellës, me policë të FNSH! Larg shumë larg gjeneral! Nuk keni armikun përballë, keni qytetar të këtij vendi. Juntat ushtarake kudoqë janë shfaqur këtë fytyrë kanë patur. Kur shteti dhunon qytetarët, demokracia nuk ekziston më. Nëse përdorimi i gazit të tepërt ka këtë qëllim, ndërkaq përshkallëzim i situatës vetëm sa ka theksuar nevojën për liri…Policia, edhe te Drejtoria e Tiranës,ishte egërsuar, edhe rrugën Myslim Shyri, e ndoti me helm…Humbja e qetësisë, e mbi të gjitha humbja e arsyes se në protestë nuk është armiku, Tiranës ia ndërroi fytyrën, e bëri qytetin ku policia dhunon, duke shkelur hapur ligjin…Tirana nuk e meriton makthin, aq më pak terrorin shtetëror, që dhunon në shkelje të kushtetutës. Merita e vetme, një meritë e tmerrshme, është se urdhrat politik, e vune policinë përballë qytetarit, si dhe po thellojnë ashpërsimin e palëve. Askush nuk është tepër, pushteti është i përkohshëm, sadoqë të zgjasë, sado terror shtetëror të ushtrojë…Politika e maksimalizojë përçarjen, policia e S. Lleshajt u kthye në mjet dhune kundër qytetarit…Çdo ditë ky vend bëhet më i pabanueshëm, më i egër, më i përçarë, e kjo i detyron shqiptarët të marrin arratinë, ku sytë-këmbët duke kërkuar një atdhe të jetueshëm. Kur shteti ushtron dhunë mbi qytetarët e vetë, këmbana bie për ata që kanë veshë… Liria është më e madhe se secili pushtet që ka qenë e do të jetë, liria është aspirata e njerëzve të lirë…Çdo ditë shohim se si thellohe humnera, fatkeqësia e përbashkët, që Shqipëria, atdheu ynë, të jetë vend normal. Arsyeja e mosarsyes, që në emër të shtetit, ma saktë të pushtetit të vjedhur, të dhunosh qytetarin protestues, tregon udhën pa kry të Rilindjes, e sidomos për anësimin joshkushtetues të policisë…Nuk mbahet pushteti me galotësjellës, ai vetëm sa ndot qytetin.