Bëhet publike ftesa e Vetëvendosjes, që iu dërgua partive politike për tryezë

22.05.2018 22:43:31

Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar ftesa për partitë politike, për të qenë pjesëmarrëse në tryezën e së premtes, të organizuar nga kjo parti.

Gazeta Blic ka siguruar ftesën që partia e Albin Kurtit, ua ka bërë partive vendore, përveç Listës Serbe.Në këtë ftesë, theksohet se qëllimi i kësaj tryeze është diskutimi për dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme, dhe është lëshuar në emër të Sekretarit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Boiken Abazi.

Në të tregohet se moderues i tryezës do të jetë Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

“Kjo tryezë mbahet me qëllim arritjen e koncensusit për realizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës, si zgjidhja demokratike që do të mundësonte krijimin e një qeverisjeje legjitime të shumicës për të çuar përpara proceset e domosdoshme politike dhe ekonomike për shtet ndërtimin e Republikës së Kosovës, zhvillimin e vendit dhe integrimin euro-atlantike, duke përfshirë këtu edhe pakicat në shtetin tonë e raportin me fqinjtë tanë. Tryeza do të moderohet nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti”, thuhet në ftesën e VV-së dërguar partive politike.

Tryezat e tilla politike u iniciuan nga Lidhja Demokratike e Kosovës e cila edhe organizoI tryezën e parë. Ndërsa tryeza e dytë u organizua nga Partia Demokratike e Kosovës, por në njërën prej këtyre tryezave nuk u fol për zgjedhje, por për siç kanë thënë zyrtarët politik, çështjet madhore të Kosovës.