Behgjet Pacolli i frikësohet largimit nga Qeveria, po formon Grup parlamentar me minoritetet

22.03.2018 22:59:54

Rikthimi i Donika Kadajt në partinë e Ramush Haradinajt, AAK, ia ka vështirësuar ekzistencën brenda Qeverisë Behgjet Pacollit.

Partia e Pacollit udhëheq me 4 ministri në Qeverinë Haradinaj, edhe pse AKR numëron vetëm dy deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Me ardhjen e Donika Kadajt në AAK, tani koalicioni qeverisës nuk do te ketë më nevojë për deputetët e AKR-së.

Koalicioni qeverisës pa AKR-në tani numëron 60 deputetë dhe po ashtu 1 votë rezervë në rastet kur u nevojitet vota nga Teuta Rugova.

Por, Behgjet Pacolli nuk e ka ndërmend të dorëzohet.

Ai po kërkon shpëtim nga deputetët pa grup parlamentar të minoriteteve.

Pacolli është angazhuar që 4 deputetët pa grup të minoriteteve t’i bashkohen dy deputetëve të AKR-së për të formuar grup parlamentar, në mënyrë që të bëhet faktor brenda qeverisë dhe ekzistenca e koalicionit të varët nga këta deputetë.

Deputeti i AKR-së Labinot Tahiri, ka konfirmuar për ORAinfo se Behgjet Pacolli u ka bërë ofertë deputetëve pa grup t’iu bashkohen për të formuar një grup parlamentar.

Pacolli për të formuar grupin parlamentar prej 6 deputetësh u ka bërë ftesë Etem Arifit nga PAI, Slobodan Petrović nga SLS, Veton Berisha nga PLE dhe Emilija Rexhepi nga NDS.

“Po, Behgjet Pacolli iu ka bërë ftesë për të formuar grupin parlamentar. Deputet pakicë janë shprehur të gatshëm dhe presim një përgjigje pozitive’, ka thënë Tahiri.

Por, nëse Pacollit i dështon kjo iniciativë, atëherë atij mund t’i kërkohet të heq dorë nga 2 ministritë nga 4 sa i udhëheq tani partia e tij.