Behgjet Pacolli nuk di asgjë për takimin

19.07.2017 15:07:00

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë sot se nuk është në dijeni të asnjë takimi të iniciuar nga AKR-ja, kur është pyetur rreth takimit të shefit të shtabit zgjedhor të AKR-së, Rrahim Pacollit me presidentin Hashim Thaçin, kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin dhe kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtakun.

“Nuk jam i njoftuar për çfarëdo takimi të iniciuar nga AKR-ja. Unë gjendem jashtë Kosovës dhe nuk mund të flas vetëm nga ajo çfarë shoh pak në media”, ka thënë Pacolli për Telegrafin.

I pyetur rreth asaj se a ekziston mundësia që AKR-ja të tërhiqet nga koalicioni me LDK-në dhe Alternativën dhe t’i bashkohet PAN-it, Pacolli nuk ka kthyer përgjigje.

Ndryshe mediat kanë raportuar se në njërin prej lokaleve të Prishtinës është zhvilluar një takim në mes të presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku si dhe Rrahim Pacollit të AKR-së.

Ky i fundit e kishte konfirmuar takimin duke mos dhënë më shumë detaje rreth tij. “Po, veç jemi taku miqësisht për një kafe”, ka thënë shkurt Pacolli.