Behgjet Pacolli,takon zëvendësshefen e NATO-s, Rose Bottemoeller,diskutojnë për demarkacionin me Malin e Zi

28.09.2017 21:22:53

Në vazhdim të vizitës zyrtare në Bruksel, zëvendëskryeministri i Parë, njëherësh Ministër i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, u prit në selinë qëndrore të NATO’s, nga zëvendës-sekretarja e përgjithshme e NATO’s, Rose Bottemoeller.

Gjatë takimit, u shprehën qëndrimet respektive dhe u diskutua për mundësitë për zgjerimin dhe rritjen e bashkëpunimit të dyanshëm, bën të ditur një njoftim nga MPJ.

Bottemoeller ka shprehur interesim për qëndrimin dhe qasjen e Institucioneve të Republikës së Kosovës përkitazi me procesin e mbarëvajtjes së dialogut me Serbinë si edhe zgjidhjen e cëshjes së shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

Sa i përket çështjes së dialogut, Pacolli ka theksuar se kjo çështje duhet ta ketë një kornizë të qartë kohore, ndërsa në lidhje me shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, ai ka shprehur besimin që kjo çështje do të tejkalohet në mënyrën më të mirë, duke marrë parasysh marrëdhëniet e shkëlqyera në mes dy vendeve.

Bottemoeller ka ri-theksuar qëndrimin edhe të mëhershëm se NATO-ja do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën, ashtu siç edhe ka bërë në të kaluar.

Gjatë takimit është diskutuar edhe mbi procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, gjë për të cilën ka pasur dakordim se kjo duhet të bëhet në koordinim të plotë me NATO-n, në mbështetje të kornizës ligjore vendore si dhe në bashkërendim të veprimeve me shtetet shtetet aleate dhe partnere, njofton komunikata nga MPJ.

Pacolli e ka falënderuar Bottemoeller, në emër të asaj, që ai e ka cilësuar “të të gjithë brezave të Kosovës”, për rolin dhe kontributin e pazëvendësueshëm të kësaj organizate në përfundimin e luftës, ndërtimin e paqes dhe vazhdimin e mëtejmë të ofrimit të sigurisë në Kosovë dhe rajon, duke vlerësuar se “nuk do të mund të imagjinohej Kosova dhe rajoni pa prezencën e NATO-s”.