Behxhet Pacolli te Ramush Haradinaj: Sa para ka dhënë Pacolli për luftën e Haradinajt dhe të UÇK-së?

30.01.2017 19:16:46

Nga Rexhep Kastrati

Behxhet Pacolli, së fundmi është parë në një foto me Ramush Haradinajn në Francë, ku ky i fundit po pret vendimin përfundimtar të një gjykate franceze lidhur me kërkesën e Serbisë për ekstradimin e tij në këtë shtet. Edhe pse pacolli nuk është i pari që e viziton ramushin në Hagë, megjithatë është sinjifikativ fakti se bëhet fjalë për dy personalitete që do të duhej të ishin në taborre të kundërta, për shkak të pozicioneve që kanë pasur gjatë luftës. Siç dihet, Behxhet Pacolli, siç  e ka pranuar edhe vetë, ka qenë i deleguar i rusëve për të ndërmjetësuar ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, për një zgjidhje që do të ishte më pak se pavarësia e Kosovës. Po ashtu, Behxhet Pacolli, mbahet mend edhe për një qëndrim të vonshëm të tij lidhur me pamundësinë e Kosovës pa Serbinë.

Në anën tjetër, Ramush Haradinaj ka qenë një nga komandatët e rëndësishëm të UÇK-së që ishte në luftë me Serbinë për çlirimin e Kosovës. Ramush Haradinaj krenohet me përfshirjen e tij në luftë dhe mbi këtë, ai ka kërkuar dhe ka pasur të gjitha privilegjet, madje edhe postin e Kryeministrit, dhe vazhdon të mëtojë edhe më tej këtë post. Ramush Haradinaj, e lidh lirinë e Kosovës dhe çlirimin e saj nga Serbia edhe me emrin e tij, ndërkohë që Behxhet Pacolli emrin e Kosovës e lidhte me emrin e Serbisë. Natyrisht, janë këto vetëm disa nga çështjet që do të duhej të diskutoheshin dhe të kishin parasysh si Ramushi, ashtu edhe Pacolli.

Mirëpo, asgjë nga këto, sepse duket se në selinë e re të tij për angazhim politiko-elektoral, Ramush Haradinaj më shumë është i interesuar të përdorë dëshirën dhe vullnetin e të tjerëve që të marrin pikë për vete, dhe që njëherësh bëjnë edhe promovimin e tij si një hero. Dhe pas Aida Dërgutit dhe ndonjë tjetri, Behxhet Pacolli është personi i përshtatshëm, sidomos për shkak të imazhit të tij të lidhur me Rusinë, dhe për shkak të misonit të tij gjatë luftës.

Dhe kur bëhet fjalë për kohën e luftës, kohë kur ishte vrarë edhe Shkëlzeni e Luani, e që për Pacollin ishte edhe kohë e misionit rus në Ballkan, është e tepërt të pyetet: sa para ka dhënë  për luftën çlirimtare? Cili është kontributi i tij për çlirimin e Kosovës?