“BEJLERESHA”-portret i gjallë

21.05.2019 09:27:20
Nga Luan Kalana
(marrë nga libri ATELIE E SHPIRTIT,-mozaik letrar”. fq- “Florinjtë na kanë rënë, por tengellat na kanë mbetur.” Nëna Zëmbako Gruas, të shtrenjtë e të thjeshtë, bashkëshorte dhe bashkudhëtare gjysmë shekullore në dy kontinente, në disa qytete në Shqipëri edhe në Amerikë, konsulente letrare, kritike e mirëfilltë dhe-inspiruese e botimeve dhe shkrimeve të mia.-Autori “-Portret i skicuar me penë. Rruga e gjatë e portretit të jetës, mbijetesa e lodhshme me sakrifica, por me vullnet për të arritur të pamundurën, duke iu përshtatur të dy sistemeve, në dy kontinente. Lindur e martuar në fshatin Vishocicë të Devollit, me punë e aktiviste shoqërore në qytetet Bilisht, Korçë e Tiranë dhe më pas me familje në SHBA, në shtetet Konektikat dhe Florida. Nga një vajzë e ndrojtur, kokulur, në një grua të qeshur, të dashur e të nderuar në rrethin familjar dhe në mjedisin shoqëror; nga një shkollare e shkëlqyer, intelektuale, inteligjente, në një ekonomiste të talentuar në profesion, e dalluar dhe e përkushtuar në të gjitha punët; nga një ndër traktoristet e para shqiptare, në një shofere të kujdesshme dhe të palodhur në rrugët e Amerikës; nga një aktiviste shoqërore e shquar e lëviz insipiruese e shkrimeve të mia; nga një edukatore në kopshtin e fëmijëve, në një nënë dhe gjyshe e dashur e gojëmjaltë për fëmijët e mbesat; nga një ekonomiste specialiste me emër në Shqipëri, në një punonjëse arke e dalluar në supermarketet “Shop Rite” dhe “Publix” në SHBA. Të shkruash për gruan, femrën shqiptare është kënaqësi, shenjtërim perëndeshe, princeshe, epitete pa mbarim, por dhe krenari, një burim muzash poetike, ndërsa për gruan tënde është e vështirë, ndjehem kokulur e i ndrojtur, se ajo është modeste si gjithë gratë e tjera, – kështu deklaron vetë, – dhe nuk pranon lëvdata e teprime, pa le kur të lexojë këtë shkrim dhe librin, sa do të më shajë: “Ç’ke bërë kështu?!” Prandaj do mundohem ta skicoj shkurt portretin e saj, vetëm në disa grimca të bashkëjetesës sonë gjysmëshekullore. Bejleri – mbiemri, por dhe nga fisi i bejlerëve të fismë, patriotë të Vishocicës në Devoll, e bija e Tekiut, traktoristit të vjetër dhe punëtorit të madh. E bija e Muazezit, një grua nga fisi Hysi në Vishocicë, për të cilën ajo është krenare, për rrënjët fisnike dhe punëtore. E mbesa e gjyshe Zëmbakos, një grua nga një familje patriote nga Arrëza e Devollit, e martuar me Sulejman Bejlerin, një burrë kapedan dhe trim, bej nga mbiemri e nga fisi, por dhe nga grada që kishte shërbyer në ushtrinë turke. Ime shoqe i ngjason gjyshe Zëmbakos nga urtësia e mençuria, nga shpirti humanist e gojëmbëlsia, jo vetëm në familje por edhe në shoqëri – këtë të vërtetë të personalitetit të saj e thonë të gjithë, edhe shoqet në Amerikë, blerësit dhe stafi i kompanisë e mbajnë në gojë dhe foton e saj e gjen gjithmonë në stendat e punonjësve të dalluar. Si grua dhe nënë ajo është model në edukimin e fëmijëve, të mbesave e nipërve të saj, për këtë jam dëshmitar okular, nuk u vë dorë as fëmijëve tanë, as mbesave që ka rritur, aq sa Katerina, mbesa jonë e parë, kur mësoi të flasë shqip, fjala e parë ishte “nëna”. Pa le kur u pagëzua në kishë, ishte e vogël e kishte frikë nga prifti, prandaj thërriste e qante me të madhe: “Nëna! Nëna!” Ime shoqe mundohet t’i edukojë e t’i mbajë gjallë traditat e jetës familjare, sidomos të folurit shqip, është debulesë dhe këmbëngulje e saj. Gjysmë shekulli dashuri bashkëshortore dhe jetesë familjare për dy të rinj të dashuruar është një jetë e tërë, enciklopedi, romantizëm, plot drama e surpriza, të ndjekur nga fati i lumturisë duke ndërtuar foletë si shtegtarë në dy kontinete, do të duheshin volume për t’i paqyruar në letër. Më bukur se kushdo ka shkruar poezi për dashurinë tonë poeti lirik Skënder Rusi, një poezi për princeshën vishocare, (kushërirën e tij) dhe kolegun moshatar. “Mësuesi dashuron traktoristen” ishte titull i poezisë që u bë dhe tekst kënge në anketat muzikire të Radio Tiranës. Ishte mosha më e bukur e rinisë kur dashuroja traktoristen lozonjare, vajzën e brishtë që sapo kishte mbaruar gjimnazin dhe punonte me atin traktorist si ndihmëse, ndër të parat në përqafimin e lëvizjeve emancipuese të femrave shqiptare. Në librin “Loje poetike me tanka” me përkthime nga Skënder Rusi, dhuruar gruas sime, shkruan autografin: “Zhulës, kushërirës sime simpatike, që rrezaton mirësi e dashuri të vërtetë.” Kur xhirohej filmi “Lezja”, Elida Janushi Topçiu – komshia jonë, partnere në teatrin amator të Vishocicës, aktorja a Teatrit Kombëtar dhe artiste filmash, luante rolin kryesor të traktoristes. Erdhi në fshat të mësonte të ngiste traktorin nën kujdesin e Zhuljetës. Sa bukuri, të dyja ngisnin traktorin mes pluhurit që ngrihej si re saull, duke kënduar… Pikërisht në vitet më të bukura rinore, dashuria jonë shndërrohet në platonike, pasi u ndamë fizikisht nga largësia: më zuri shërbimi ushtarak i detyrueshëm. Më morën ushtar në marinë në Durrës për katër vjet. E tmerrshme për atë moshë pasi kishim dashur të hapnim fejesën tonë. Katër vjet më ka larë me lot dashurie dhe me para që më dërgonte çdo 15-ditësh nga rroga që merrte në SMT. Letrat e saj të dashurisë ishin shkruar me lot zemre. E kam thënë e shkruar në librat e mi – ato janë krijimet më të bukura letrare që mund të kem lexuar, por do t’i lëmë si relike të dashurisë së zjarrtë rinore. Në shumicën e viteve të punës ajo ishte kuadër në ekonomi, llogaritare dhe përgjegjëse në fermën e blegtorisë. Sa i deshte dhe i respektonte punonjësit, qanin hallet së toku, i ndihmonte me të holla, e pabesueshme, por dhe sot e kujtojnë me mall e respekt nga Shqipëria. Në prezantimet tona në më se dy dekada këtu në Amerikë me miqtë vendas, kur u shpjegojmë emrat tanë, e kanë të vështirë ta shqiptojnë emrin Zhuljeta, por shpejt e përmbledhin dhe thonë: “Oh, Romjou ënd Xhuljet” nga tragjedia e Shekspirit. Por dashuria jonë nuk ka qenë tragjedi por dramë nga hallet, nga shëndeti im, nga shkaqe ekonomike, me gëzime, vuajtje, sakrifica, por kemi mbijetuar. Sidomos kur erdhëm në Amerikë, ajo tregoi zgjuarsinë e vullnetin e saj. “I kemi rënë murit me kokë që u përshtatëm në jetën amerikanë, – u thotë ajo miqve dhe shokëve. – Erdhëm me para borxh, me lugë në brez. Mësuam gjuhën, makinat, kompjuterin duke punuar, pa vajtur në shkolla, u bëmë shtetas amerikanë, kemi dhënë provime të vështira.” Erdhëm në Amerikë në vitet ’90 me llotarinë amerikane, kaluam vështirësi të shumta, por shqiptarët e parë na ndihmuan shumë, nuk ia harrojmë tërë jetën. Dhe atë ndihmë e patëm si stimul për t’u shërbyer shqiptarëve, miq dhe shokë që erdhën pas nesh. “T’i ndihmojmë, mos harrojmë si kemi vuajtur ne në fillim,” – më thoshte Zhula dhe të dy, bashkë me fëmijët, u bëmë copë duke i ndihmuar: që nga dërgimi i garancisë deri në akomodim, nga gjetja e punëve te blerja e makinës, nga mbajtja në shtëpinë tonë deri te çuarja e fëmijëve të tyre nëpër shkolla. Më vjen rëndë ta përmend, por, kur thotë populli, u kemi lëshuar krevatin dhe dhomat tona, i kemi mbajtur me muaj në shtëpi dhe vetë flinim korridoreve e dyshemeve. Zoti të na i dijë! Po shkruaj për të veçantat e saj. Më ka dashur më shumë se burrë, me një dashuri të pakufishme për kushtet e shëndetit tim të kërcënuar, operuar disa herë nga zemra me by-pass dhe tani më ka qëndruar te koka, pa gjumë, në karrige, me lot dhe fjalë dashurie, më ka mjekuar e shëruar plagët, si mjeke dhe infermiere specialiste dhe tepër e kujdeshme. Duke i mbyllur këto rreshta, do të përmend dhe një pjesë nga jeta jonë familjare. Të rralla janë sot nuset e vjehrat që kanë shkuar aq mirë, të duhen e të respektojnë njëra-tjetrën. Jetoi gjysmë shekulli me nënën time në Shqipëri, martoi katër motrat e mia më të vogla, i priti e i përcolli me dhëndurët e fëmijët dhe asnjëherë nuk iu thye zemra, deri sa erdhëm në Amerikë. Motrat e mia e kanë konsideruar dhe e thërrsin motër, ndërsa nëna ime 90-vjeçare akoma dhe sot, kur betohet, nuk zë be për mua, si djalë të vetëm, por për nusen, Zhuljetën, që e do njëlloj si çupat. “Ti ke qenë shtylla e familjes Kalana,” – i thotë nëna asaj. Kur bie fjala për t’i dërguar nënave tona ndonjë lekë për pleqëri, se pensionet i kanë minimalë, nga kursimet tona, ajo më thotë: “Do t’i heqim nga goja jonë e do t’u dërgojmë.” Për nënën e saj i digjet zemra, por ajo ka dhe dy djem të tjerë prandaj nuk i mbajnë sytë nga Zhula. Pyesni po nuk besuat. Ja kjo është gruaja e thjeshtë, punëtore, amvisë, nikoqire, intelektuale, bashkëshortja ime, devollesha amerikane. Epilog Fytyra jote – pasqyrë e bardhë, liqen kaltërosh ku lëkunden valë, ato që s’thua, nuk t’i mban zemra, t’i lexoj në fytyrë, te rrudhat në ballë…
Shkronjesi Modest , Florida, SHBA Maj 2019.